Basha: Qëndresa qytetare do të vazhdojë.
Kryetari I PD, Lulzim Basha ka reaguar në faqen e vet zyrtare të Facebook, pak pas vendimit të Apelit të Shkodrës, që liroi 7 dhe la ende në burg 4 prej protestuesve kuksianë, që u ndaluan pas përleshjeve në tubimin e zhvilluar në Rrugën e Kombit.
Ai thotë se vendimi i sotëmështë arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve:
“Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve.
Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament.
Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera.
Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit.”, thotë Basha në reagimin e tij