Vuçiç: 3 muaj do të presim për asociacionin e komunave serbe në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se serbët do të presin edhe tre muaj e gjysmë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke i dhënë drejtim tjetër një ultimatumi të përfaqësuesve të serbëve se do të themelojnë vet këtë asociacion, nëse Prishtina dhe Bashkimi Evropian nuk e bëjnë këtë deri më 20 prill.
Ai i bëri këto komente në prag të vizitës në Beograd të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini e cila ndodhet në një vizitë në Ballkanin Perëndimor pas publikimit të raportit më të ri të Komisionit Evropian për përparimin e këtyre vendeve në rrugën evropiane.
Presidenti serb i tha televizionit shtetëror të Serbisë se dyshon që Prishtina do të përmbushë paralajmërimet e bëra ditë më parë se brenda katër muajsh do të hartohet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kanë thënë se për tre muaj e gjysme do të dalin me statutin. Do të pres Serbia edhe këtë, po nuk do ta shihni statutin për tre muaj e gjysmë. Po e mashtrojnë opinionin ndërkombëtare, opinionin e atyre që e kanë krijuar pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Presidenti serb tha se serbët e Kosovës nuk do të fillojnë nesër apo pasnesër me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por do të presin afatin e vendosur nga Bashkimi Evropian.
Më 27 mars, Lista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, vendosi të largohet nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe paralajmëroi se do të fillojë vet ngritjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe nëse Prishtina dhe Bashkimi Evropian nuk e bëjnë një gjë të tillë deri më 20 prill.
Qëndrimi i saj pasoi një ndërhyrje të policisë së Kosovës më 26 mars në veri duke arrestuar dhe dëbuar shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë në Kosovë pa lejen e Prishtinës.
Veprimi nxiti reagime të ashpra të Beogradit i cili akuzoi edhe fuqitë perëndimore për mbështetje të ndërhyrjes së policisë së Kosovës.
Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara më 19 prill të vitit 2013 në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Çështja e asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve. Autoritetet në Prishtinë thanë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.
Ndërsa Beogradi tha se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin dhe do të ketë përgjegjësi të gjera. Ajo do të vendosë për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Serbia ka të drejtë ta financojë atë pa taksa”.
Në dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një periudhe tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare të cilat bllokuan punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës.
Në fillim të këtij muaji autoritetet në Kosovë thanë se kanë vënë në veprim ekipin që do të hartojë statutin e këtij asociacioni.