Shtypi gjerman për negociatat: Përmbajtja para shpejtësisë
Në një analizë të saj me titullin “Ballkani Perëndimor si zëvendësim për Turqinë?”, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushtohet të enjten (19.04) rekomandimit të Komisioni Europian për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Turqia është larguar nga BE, thuhet në raportin e progresit të KE për Turqinë. Por “Ballkani Perëndimor nuk mund të jetë zëvendësim për Turqinë, sepse të gjashtë vendet së bashku janë vërtet pa ndonjë peshë të madhe. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar 18 milionë banorët e këtyre vendeve arrijnë një prodhim të brendshëm bruto prej 250 miliardë dollarësh, kjo është më pak se në Hesen (një land gjerman jo shumë i madh, shën.red.) Ndërkohë që 80 milionë turqit arrijnë 8 herë më shumë, 2100 miliardë dollarë.”
FAZ i kushton vëmendje edhe skepticizmit të vendeve të ndryshme ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. “Të martën presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh, se para zmadhimit duhet të vijë njëherë thellimi. Berlini po ashtu është kundër datës 2025, dhe sqaron, se vendimtare janë hapat e reformave. Në Hungari mund të përfytyrohet me vështirësi, që të bëhen pjesë e BE-së, shtete me shumicë myslimane si Shqipëria.”
Para pranimit të Ballkanit Perëndimor duhet reformuar BE
Po të enjten gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung në një koment të saj me titull “Aspak nxitim” vëren se sigurisht që askush nuk ka kundërshtim që të lidhen me BE vendet e Ballkanit Perëndimor, por… të paktën kësaj here nuk duhet nxituar. “Raundi i parë i zgjerimit me vende europianolindore e qendrore ishte i duhuri dhe pasoja e detyrueshme e tejkalimit të Luftës së Ftohtë. Por që atëherë u diskutua fort, nëse pranimit të anëtarëve të rinj duhet t’i paraprijë më parë thellimi i unionit europian. Në zgjerimet e mëvonshëm në mënyrë fatale u mbyllën të dy sytë…Tani Komisioni rekomandoi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, e presidenti francez ka marrë pozicion të fortë: Së pari duhet të reformohet BE. Ai ka të drejtë, përmbajtja duhet para shpejtësisë, edhe pse shumë vetë në Ballkanin Perëndimor këtë do ta ndjenin si refuzim. Duhet menduar me kreativitet për hapat e ndërmjetëm.”