Sekretariati i Energjisë: Shqipëria, fiton besimin e investitorëve
Katër janë aspektet që ka marrë në vlerësim një raport i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, lidhur me qëndrueshmërinë në sektorin energjetik në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në publikimin që del çdo tre muaj dhe që mat ecurinë e reformave në kuadër të procesit të Berlinit, bëhet një analizë e harmonizimit ligjor si dhe masave konkrete në zbatimin e tyre, sqaron Monitor.
Për secilin nga vendet, raporti analizon në detaje disa nga çështjet kyçe, duke nisur me përmirësimin e qeverisjes dhe eficencës së energjisë. Shqipëria, në krahasim me situatën para Samitit të Triestes dhe pas këtij samiti, ka avancuar në të paktën katër pika, ndërkohë që në dy të tjera situata ka mbetur në vend. Deficenca më e madhe lidhet me pjesën ende modeste të eficencës së energjisë në ndërtesa ku, përveç disa dokumenteve të miratuara në praktikë, rezultatet janë minimale.
Pika e dytë në vlerësim është ajo për zbatimin e masave “të zgjuara” për përmirësimin e qëndrueshmërisë në sistemin energjetik. Në këtë pikë, Sekretariati nënvizon se ka një ecuri të mirë në përfshirjen e eficencës së energjisë dhe burimet e rinovueshme në literaturën edukuese dhe trajnuese, si dhe zbatimi i një skeme mbështetëse për tregun e energjisë nga burimet e rinovueshme. Treguesi më i dobët është ai që lidhet me zhvillimin e strategjive efektive për përfshirjen vullnetare të qytetarëve në projekte të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Adoptimi i hapave për klimën është çështja e tretë që trajton raporti, ku dy treguesit e saj kanë ecuri relativisht të mirë të paktën nga Samiti i Triestes njëri prej tyre ka avancuar më mirë dhe që lidhet me emetimet e gazrave, si dhe sistemet e monitorimit.
E katërta është transparenca në tregun e qëndrueshëm të energjisë, ku duket se Shqipëria shfaq edhe ecurinë më të dobët të saj. Të paktën njëri nga treguesit nuk ka nisur ende dhe lidhet me hartimin e një udhërrëfyesi me masa, i cili kërkohet për të rritur besimin e investitorëve në tregjet e energjisë. Forcimi i kapaciteteve të institucioneve për të parë dhe për të qeverisur tregjet kombëtare dhe rajonale në mënyrë proactive dhe transparence është i vetmi që ka regjistruar një avancim minimal në këtë grup të katërt vlerësimi.