Plenkoviç: Presim që Serbia të dënojë qartë aktin e Sheshelit
Plenkoviç deklaroi se Qeveria e Kroacisë plotësisht mbështet vendimin e kryetarit të Kuvendit kroat, Gordan Jandrokoviç dhe delegacioni që të ndërpresin vizitën në Beograd dhe të kthehen në Republikën e Kroacisë
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, shprehu pritjet e tij se përfaqësuesit më të lartë politikë të Republikës së Serbisë në mënyrë të qartë dhe pamëdyshje do të dënojnë aktin e Vojislav Sheshelit mbi flamurin kroat, me qëllim të vazhdimit të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Plenkoviç deklaroi se Qeveria e Kroacisë plotësisht mbështet vendimin e kryetarit të Kuvendit kroat, Gordan Jandrokoviç dhe anëtarëve të delegacionit që të ndërpresin vizitën në Beograd dhe të kthehen në Republikën e Kroacisë.
“Presim nga Serbia që ashpër dhe pamëdyshje të dënojë këtë akt të deputetit në Kuvend që edhe njëherë përsëriti retorikën dhe sjelljen e tij të ashpër dhe mizore ndaj Republikës së Kroacisë. Patëm rastin të dëshmojmë disa vitet e fundit, ndërsa fatkeqësisht edhe gjatë kohës së agresionit të regjimit të Millosheviçit ndaj Republikës së Kroacisë. Ne kemi parë se me këtë vendim të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare, dmth, këtij mekanizmi të veçantë, Gjykata Ndërkombëtare konfirmoi sjelljen e tij nxitëse që ka kontribuar për krimet më të rënda të luftës në Luftën e Atdheut në Republikën e Kroacisë”.
Plenkoviç porositi se pret që vazhdimi i marrëdhënieve politike mes Kroacisë dhe Serbisë të jetë në kontekst të dënimit serb ndaj kësaj sjellje.
Ai tha se Oda Kroate e Ekonomisë (OKE) dje hapi zyrën e saj në Beograd si sinjal i qartë se dëshirojnë të vazhdojnë avancimin e marrëdhënieve, shkëmbimin tregtar, bashkëpunimin ekonomik dhe bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë evropiane.
Ministria kroate e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane dje i dërgoi një notë proteste ambasadës serbe në Zagreb me një dënim të qartë të aktit.
Plenkoviç tha se Qeveria e Kroacisë do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie me fqinjët, porse ndaj këtyre gjërave do të reagojë me vendosmëri në ruajtjen e dinjitetit të simboleve të shtetit kroat dhe dinjitetit të Republikës së Kroacisë në tërësi.
Një delegacion kroat në krye me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë Gordan Jandrokoviç ndërprenë vizitën e tyre zyrtare në Serbi pasi deputeti në Kuvendin popullor Vojislav Sheshel grisi flamurin kroat dhe ofendoi anëtarët e delegacionit gjatë daljes nga Kuvendi i Serbisë./ Anadolu Agency (AA).