Kuvendi, Basha: Negociatat, shpresojmë që Këshilli do të hapë rrugën. Opozita largohet nga salla
Pas fjalës së Lulzim Bashës në seancën e sotme të Kuvendit, opozita është larguar nga salla në shenjë proteste. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar qeverisjen si të lidhur me krimin, megjithatë ka shtuar se Shqipërisë duhet ti hapen negociatat, pasi atëherë do të jetë më shumë e monitoruar nga Europa. Në seancën e sotme plenare në Kuvend, kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm, pasi ndodhet në Shkup, ndërsa përsa i përket rendit të ditës është hequr ligji për strehimin social.
“Shqiptarët edhe në ditët e tyre më të vështirë edhe kur u vetizoluan, gjenin një shteg për të parë drejt Europës. Aspirata e shqiptarëve ka qenë Europa. Para se të jenë të djathtë apo të majtë, krishterë apo myslimanë, shqiptarët janë evropianë. Ballkani në BE, ndoshta është pjesa më e guximshme dhe domethënëse e vizionit evropian. Europa e bashkuar po tregon se është e vërtetë në vlerat e saj, po tregon se është e vendosur të bashkojë të gjithë Europën. KE dhe rekomandimin dhe ne shpresojmë që Këshilli do të hapë rrugën edhe pse qeveria jonë ka dështuar. Edhe pse frymëzimi i kryeministrit vjen nga lindja dhe jo perëndimi. PD ka kërkuar me forcë kudo në Europë hapjen e negociatave. BE është shpëtim nga katastrofa ekonomike dhe sociale që na pret me këtë qeveri. Sot nuk është momenti për festë, por për reflektim për hapat që duhen ndërmarrë për hapjen e negociatave. Shqipëria është më e izoluar se kurrë më parë, nuk ka më investime, ndërsa disa vende po mendojnë që të rikthejnë vizat.” tha Basha
Pas largimit të opozitës, Balla ka reaguar duke iu drejtuar Berishës se e ke hallin te drejtësia.
“Ik e ke hallin te drejtësia. Dje pamë si përfaqësuesit e opozitës, sikurse sjella sot, nuk ka një opozitë në një vend anëtarë në BE, që të bojkotojë Kuvendin, vetëm një ditë pasi Shqipërisë i është treguar rruga për në BE. Të gjithë shqiptarët bëhen bashkë për integrimin, duhet të tejkalojmë ndasitë politike dhe të bëhemi bashkë. Sot është dita për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive për të përmbushur kriteret për të hyrë në Europë. E sotmja është një ditë e gëzuar, por që sot duhet t’i kthehemi punës. Rruga e vetme është evropianizimi.” tha kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Kurse kryetari i PR, Fatmir Mediu është shprehur nga salla e Kuvendit se lajmi i mirë për rekomandimin për hapjen e negociatave kërkon një qëndrim kombëtar. Ai i ka kërkuar Ramës që të mos drejtojë gishtin nga opozita.
“Sot është e detyrueshme nga gjithsecili nga ne që të kuptojë shpresën evropiane. Nuk kemi vendosur në pikëpyetje dhënien e kontributit për vendin, kemi votuar cdo ligj që kërkonte BE. Votuam Reformën në Drejtësi, por jo që të kapej, apo edhe paketa e 7 ligjeve.
Kemi kërkuar hapjen e negociatave se sa më afër Europës të jemi do të kuptojmë krimin e lidhur me pushtetin dhe korrupsionin galopant. 5 prioritetet mbeten përsëri. Kemi nevojë për gjykatës dhe prokurorë që të kalojnë Vettingun.
Rekomandimi duhet të ishte marrë më herët, por u vonua. Nuk mund të zgjidhen problemet duke i drejtuar gishtin opozitës dhe vendeve skeptike të BE.”, tha ai./Shqiptarja.com