“Kulla Pyll”: Stefano Boeri zëvendëson Muzeun e Shkencave të Natyrës
Në rrugën e Kavajës në Tiranë, aty ku më parë ishte vendosur godina e Muzeut të Shkencave te Natyrës do të ndërtohet një kullë 24 katëshe në formën e një pylli vertikal. Kulla po ndërtohet nën trendin e ri të arkitektit italian Stefano Boeri, ku ndërtesa nga fillimi në fund do të dominohet në pamjen e jashtme nga gjelbërimi. Kulla po ndërtohet nga kompania Nova Construction 2012.
Godina ka formën e germës L, ku pjesa më e gjatë është me 24 kate, e cila lidhet nëpërmjet katër katëshi me një kullë tjetër 19 katëshe.
Ndërtesa është dedikuar më së shumti për qendër tregtare, teksa në katet më të larta të saj do te jenë me apartamente.
Nga pamja e jashtme objekti do të duket si një skelet hekuri ngjyrë kafe të errët e mbushur me lloje të ndryshme lulesh dhe pemësh deri në majë. Ndërtesa është në trendin që arkitekti i njohur italian Stefano Boeri po përhap në të gjithë boten. Në zonat shumë të urbanizuara ku dominon betoni dhe mungon gjelbërimi, Boeri ka projektuar objekte pyll, ku karabinaja duket e gjelbëruar. Kështu në sytë e publikut fasada duhet të ketë me shumë gjelbërim se beton apo mur.
Ekspertët e ndërtimit pohojnë se, “Pylli Vertikal” është një koncept shumë novator në arkitekturën urbane të ditëve të sotshme, mirëpo këto janë më kosto të larta për vende si Shqipëria. Këto lloj objektesh kanë kosto të lartë mirëmbajtje thotë Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve një inxhinier i njohur i fushës. Këto lloj objektesh pasi përfundohen mund të popullohen vetëm nga klientë elitarë, të cilët do të mund të përballojnë koston e mirëmbajtjes gjatë përdorimit të objektit. Por në Tiranë kjo kërkesë është e limituar, teksa modeli Boeri është përqafuar edhe nga shumë ndërtues të tjerë.
Nga ana tjetër kulla pritet të rrisë edhe me tej sipërfaqen e qendrave tregtare, të cilat edhe në stadin që janë kanë arritur mbingopjen. Me hapjen e qendrës më të fundit prej 60 mijë metra katrorë, Toptani Shopping Center, në qendër të Tiranës, sipërfaqja totale e qendrave tregtare në Tiranë ka arritur aktualisht në rreth 243 mijë m², sipas të dhënave të Colliers. Sakaq Qendra Tregtare Univers (QTU) po dyfishon sipërfaqen duke shtuar një kat të dytë që do të aktivizohet brenda këtij viti.
Vetëm për zonën e kryeqytetit, me 862 mijë banorë, sipërfaqja e treguesi shkon në rreth 280 m² për 1000 banorë, më e lartë se në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e madhe. Në Itali, p.sh., ky tregues është 227 m² për 1000 banorë, në Gjermani 180 m², në Greqi 56 m², në Spanjë 244 m², ndërsa shumë i lartë është në vendet nordike, ku kryeson Norvegjia, me gati 900 m² për 1000 banorë./Monitor