Ku shkojnë milionat që dërgon Diaspora?
Diaspora për çdo vit dërgon në Kosovë miliona euro. Por, këto para, sipas ekspertëve të ekonomisë, kryesisht shkojnë në konsum të familjeve dhe shumë pak për investime në biznes.
Njohës të çështjeve ekonomike, tregojnë se dërgesat e emigrantëve përdorën për mbulimin e shpenzimeve të konsumit nga ekonomitë familjare dhe se sipas tyre është tejet e vështirë që remitencat të kthehen në investime.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), remitencat nga diaspora brenda një viti shkojnë në mbi gjysmë miliard euro.
“Remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2017 shënuan vlerën prej 759.3 milionë euro, kurse në vitin 2016 u dërguan 691 milionë euro”, thuhet në buletinin mujor statistikor të BQK-së, shkruan Telegrafi.
Ekonomisti Sokol Havolli, tha për Telegrafin se në shumicën e rasteve remitencat dërgohen për financimin e konsumit të ekonomive familjare.
“Dërgesat e diasporës apo remitancat, në masën më të madhe përdoren për mbulimin e shpenzimeve të konsumit nga ekonomitë familjare, apo nga pranuesit. Në fakt, arsyeja edhe e dërguesve në shumicën e rasteve është se këto mjete i dërgojnë pikërisht për financimin e konsumit të ekonomive familjare”, ka thënë Havolli.
Sipas tij, remitancat e zbusin varfërinë dhe pabarazinë në të ardhura dhe se ato nuk e pasivizojnë fuqinë punëtore në nivel vendi, por në raste të caktuara mund të ndikojnë nëse rritet paga minimale e pranuesit.
“Remitancat e zbusin varfërinë dhe pabarazinë në të ardhura, prandaj efekti i tyre është pozitiv kur merret parasysh se i redukton këta dy tregues ekonomik, varfërinë dhe pabarazinë në të ardhura. Nuk ka evidencë shumë të fuqishme shkencore se remitancat e pasivizojnë fuqinë punëtore në nivel të vendit. Megjithatë, sigurisht se në raste të caktuara edhe ndikojnë, por kjo më shumë shprehet duke e rritur nivelin e pagës së rezervuar, apo pagës minimale për të cilën pranuesit e remitancave do të pranonin të punojnë”, tha Havolli për Telegrafin.
Ai shpjegon se është e vështirë që remitancat të kthehen në investime e në projekte zhvillimore për faktin se ato vijnë në shuma relativisht të vogla dhe me qëllime specifike.
“Është tejet e vështirë, ndoshta e pamundur që remitancat të kthehen në investime e në projekte zhvillimore. Kjo për shkak se remitancat vijnë në intervale të rregullta kohore, në shuma relativisht të vogla, e në numër të madh të familjeve. Po ashtu, remitancat dërgohen me qëllime specifike, për të financuar konsumin, apo edukimin apo edhe ndonjë riparim/rindërtim të shtëpive të pranuesve. Prandaj, nëse e kthejmë në shembull ilustrues, është tejet e vështirë që një shumë për shembull rreth 500 euro, që një familjarë nga diaspora ia dërgon familjarëve të vet në Kosovë për të blerë material për ngrohje gjatë dimrit, të kthehet në investim, sepse shuma prej 500 euro nuk është e madhe për të realizuar investim”, tha ai.
Havolli tha se duhet të ndërmerren politika për të tërhequr investime direkte nga diaspora.
“Ne e dimë se diaspora e Kosovës është ekonomikisht shumë e fuqishme dhe ka kapacitet të ndërmarr investime në Kosovë dhe për këtë duhet të ndërmerren politika për të tërhequr investime direkte”, përfundoi ai.
Kurse këshilltari në Odën Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha për Telegrafin se duhet të krijohen stimuj fiskal me qëllim që të nxiten investime nga diaspora.
“Oda Ekonomike e Kosovës ka një angazhim disa vjeçar duke avokuar për krijim e mekanizmave për nxitje të investimeve të diasporës, sidomos përmes krijimit të stimujve fiskal që mund t’i nxisim këto investime. Gjithashtu, në çdo takim në vendet ku kemi diasporë angazhohemi për komunikim të sinqertë me bizneset e diasporës në mënyrë që t’iu ndihmojmë në vlerësimin e mundësive më të mira për investime dhe gjetje të partnerëve të duhur për investimet e tyre”, tha për Telegrafin, Rukiqi.
Këto dërgesa vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende nga të cilat dërgohen 39.4 për qind, përkatësisht 21.8 për qind të totalit. Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht 7.1 për qind e gjithsej remitencave të pranuara./Gazeta Ekonomia