KESE: Siguria në Ballkanin Perëndimor është siguri në BE
Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet i lartë i BE-së.
Siguria në Ballkanin Perëndimor është siguri në BE. Me këtë bindje Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (KESE) miratoi sot (19.04.2018) në seancën plenare, në Parlamentin Europian opinionin pro kohezionit ekonomik dhe social dhe integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, (BP)
Burime zyrtare nga zyra e shtypit pohojnë për DW se anëtarët e këtij komiteti votuan në shumicë absolute pro zgjerimit të BE me vendet e BP. Në një njoftim për shtyp lidhur me zhvillimin e seancës së sotme plenare theksohet se ky komitet rekomandon që “integrimi i BP duhet të jetë një prioritet i lartë i BE.”
Opinioni mbështetës vjen menjëherë pas rekomandimit të pakushtëzuar të Komisionit Europian që Shqipëria dhe Maqedonia janë gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Komiteti vëren se zgjerimi i BE-së, “përhapja e vlerave demokratike dhe standardeve ligjore në Ballkanin Perëndimor janë në interes të të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE”
Njoftimi për shtyp citon Andrej Zorko, raportues për opinionin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian të ketë thënë që “promovimi i vlerave të BE-së në BP garanton siguri dhe stabilitet, forcon zhvillimin social dhe ekonomik, demokracinë dhe sundimin e ligjit në vendet e BP. Në këmbim kjo do të thotë stabilitet dhe siguri për BE-në.
Sfidat e Ballkanit Perëndimor- si mund KE të përshpejtojë zhvillimin e rajonit?
Sfidat janë tanimë të njohura. Korrupsioni, ndikim i krimit tëi organizuar, dobësia e përgjithshme e institucioneve shtetërore dhe sundimi i ligjit, diskriminimi ndaj grupeve në minorancë janë sfidat kryesore me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ekonomitë e tyre vazhdojnë të rriten, por, pavarësisht kësaj, gjashtë vendet mbeten ndër më të varfërit në Evropë. Vendet e BP mund të arrijnë për 40 vjet konvergjencë të plotë me standardet e jetesës së BE” u theksua ne séancën e sotme plenare.
Por KE mund të përshpejtojë zhvillimin social dhe ekonomik të BP. KESE sugjeron që Komisioni Evropian të zhvillojë programe specifike për një konvergjencë më të shpejtë sociale dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Ai duhet të ndërmarrë masa specifike në fushat e sundimit të ligjit, sigurisë dhe migracionit, zhvillimit socio-ekonomik, lidhjes, agjendës dixhitale dhe pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.. theksohet në njoftimin për shtyp. Ofrimi për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor të më shumë mundësive për arsim dhe punë , ofrimi i perspektivave të qarta për të ardhmen gjithashtu do të reduktojë ikjen e trurit dhe migracionin për motive punësimi që është ende mbetet problem dhe cështje dominuese për rajonin..
Procesi i pranimit në BE- motiv kyç për reformat në BP
Sipas njoftimit për shtyp, Dimitris Dimitriadis , bashkë-raportues i opinionit të KESE, theksoi se: “Procesi i pranimit në BE mbetet një motiv kyç për reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Komiteti Ekonomik dhe Social Europian vërense nderkohe qe mungon mungon vëmendja për efektet ekonomike dhe sociale të reformave të kryera, duke patur parasysh ndryshimet e mëdha lidhur me sigurinë ekonomike dhe sociale të njerëzve në shteteve anëtare të BE dhe atyre në shtetet kandidate për anëtarësim. KESE rekomandon që kohezioni social, ekonomik dhe territorial të vlerësohet gjatë vlerësimit të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE.
Shoqëria civile – rol të rëndësishëm në procesin e integrimit
Komisioni Social Ekonomik Europian vlerësohet si zëri i shoqërisë civile në Europë. Në miratimin e opinionit pro zgjerimit të BE me vendet e BE komiteti theksoi rolin aktiv të shoqërisë civile për të promovuar masa specifike në sundimin e ligjit, sigurisë, zhvillimit social dhe ekonomik, agjendës digjitale ne BP, pajtimit dhe marrdhënieve të mira me fqinjët. Organizatat e shoqërisë civile në BE dhe BP duhet të përfshihen në të gjithë procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Komiteti propozoi sot që institucionet e BE-së të konsiderojnë si një nga kriteret për anëtarësimin në BE dialogun funksional social dhe civil në nivel kombëtar.
Komiteti Ekonomik dhe Social Europian është një organ konsultativ i themeluar në vitin 1957 nga Traktati I Romës. Ai ka 350 anëtarë nga gjithe Europa që emërohen nga Këshilli i Bashkimit Europian. Komiteti përfaqëson shoqërinë e organizuar civile. Roli i tij konsultativ u mundëson anëtarëve dhe organizatave që ata përfaqësojnë, të marrin pjesë në procesin vendimmarrës të BE./ Ani Ruci/DW