Francë: Greva e sindikatave, provë force për Macron
Greva e punonjësve të hekurudhës franceze kundër reformës hekurudhore po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Kjo mund të jetë e rrezikshme për Presidentin Emmanuel Macron dhe kursin e tij të reformave, thotë DW.
Trenisti Fabien Villedieu dhe kolegët e tij po përgatiten për protestë. Fabieni transporton përditë mijëra vetë në Paris dhe rrethina. Por tani lokomotiva e tij ka ndaluar në Gare de Lyon. Me grevën Fabieni dhe kolegët e tij duan të protestojnë kundër reformës hekurudhore të nisur nga presidenti francez, Macron. Sindikalistët janë organizuar mirë dhe ata duan të luftojnë për të drejtat e tyre me sa duket me të gjitha mjetet.
Ne punonjësit e hekurudhës jemi në gjendje të ndezim një luftë sociale. Ne nuk mjaftohemi me një filxhan kafe dhe llafe për të drejtat tona. Unë jam krenar që jam pjesë e këtij grupi profesional!” – thotë
Fabien Villedieu. Punonjësit e hekurudhave kanë luftuar për dekada për të marrë privilegje të caktuara. Trenistët si puna e Fabienit mund të dalin në pension pesë vjet para se të mbushin moshën e pensionit, dhe mund të udhëtojnë me tren falas në gjithë vendin. Presidenti francez kërkon t’ua heqë trenistëve këto privilegje. Sepse ndërmarrja e hekurudhave është futur në borxhe të mëdha.
Heqje e privilegjeve
Deri tani Macroni ka zbatuar dy reforma, një në fushën e tregut të punës dhe tjetrën në atë të arsimit. Shumë të tjera pritet të vijojnë dhe Macroni mundohet t’u mbushë mendjen francezëve të marrin anën e tij. “Pasagjerët vuajnë nga greva e trenave. Ata punojnë me orar të shkurtuar dhe mund të ndodhë që për shkak të grevës sipërmarrja e hekurudhave të falimentojë. Ne duhet të bëjmë punë sqaruese dhe unë dua të bëj të qartë një gjë: ne do ta zbatojmë reformën, sepse ne duhet ta bëjmë këtë reformë.” – thotë Macron në një intervistë televizive.
Fabieni thotë se Macroni e luan pjesën sikur të ishte politikan i afërt me popullin dhe do ta pengojë reformën hekurudhore. Ai e di që lufta kundër trenistëve është për Macronin një betejë vendimtare. Nëse e humbet, atëherë ai do të dobësohet për reformat e ardhshme. Fabieni ndihet i mashtruar nga Macroni: “Kur presidenti thotë që segmentet e vogla hekurudhore rajonale do të vazhdojnë të ekzistojnë, ai gënjen. Linjat e vogla do të financohen në të ardhmen prej rajoneve, por rajonet vetë nuk kanë para.”
Mbështetje nga studentët
Meqenëse Macroni nuk lëviz asnjë qime nga linja e tij, Fabieni mundohet të marrë mbështetjen e studentëve. Edhe ata protestojnë kundër planeve reformuese të Macronit dhe ëndërrojnë tani të organizojnë një grevë të përgjithshme në vend. “Punonjësit e hekurudhave janë të gatshëm për të protestuar. Ata kanë një traditë revolucionare. Prandaj ne duhet t’i mbështesim. Si dikur në maj të 1968, kur studentët dhe punëtorët demonstruan së bashku. Qeveria u detyrua të dorëzohej mbas grevës disa javore të përgjithshme në vend.” – thotë një student.