AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

BE më parë e reformuar apo Ballkani i anëtarësuar?

Deklarata e presidentit francez, Macron se nuk ka zgjerim me vende të Ballkanit, para reformimit të thellë të BE-së, ka shkaktuar reagime. A nuk mund të shkojnë këto procese paralelisht?

Rekomandimi i fundit që Komisioni Europian ofroi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë shkoi paralelisht me deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron në fjalimin e tij në Parlamentin Europian (18.04), se nuk ka zgjerim të Bashkimit Europian pa thellim të unionit dhe reformim të tij.

Duket sikur ka qëndrime të ndryshme mes Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për anëtarësimin e Ballkanit – nga njëra anë BE që jep sinjale të qarta kohore, nga ana tjetër vendet anëtare skeptike, apo një president Macron që kërkon më parë reformim të BE-së pastaj zgjerim.- Por a nuk mund të shkojnë këto dy procese paralelisht, pra reformimi e thellimi i BE-së dhe procesi i zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor?

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian dhe eurodeputeti konservator gjerman, David McAllister thotë për Deutschen Wellen se këto dy procese mund të shkojnë bashkë. “Besoj se munden. Unioni ynë mund të bëhet më i fortë dhe solid para se të zmadhohet eventualisht. Kjo është arsyeja pse këtë vit Komisioni do të ndërmarrë një sërë iniciativash duke përmirësuar kornizën demokratike, institucionale dhe politike për një union të vitit 2025.”

Republik Moldau Europa-Symposium David McAllister Universität Chisinau (ppe.md)

Gjermania e mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor por duke i qëndruar fort edhe kërkesës se vendet e rajonit duhet të plotësojnë kriteret në tërësi, thekson McAllister.

Pa entuziazëm për zgjerimin!

E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini është shprehur se procesi i reformimit të BE dhe ai i zgjerimit mund të ecin paralelisht. Sekretarja e Përgjithshme e Iniciativës Europiane të Stabilitetit, Alexandra Stiglmayer e mbështet këtë qëndrim. “Po kështu është, sepse të dyja proceset do të kërkojnë disa vjet, dhe ata nuk varen prej njëri-tjetrit. Ato mund të shkojnë paralelisht dhe në shtatë vjet mund të kemi vendet e para të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen Bashkimit Europian dhe BE është reformuar ose të paktën ka marrë disa hapa për reformim.”

Alexandra Stiglmayer (privat/Alexandra Stiglmayer)

Por strategjia e zgjerimit të Komisionit Europian që përcakton madje edhe afate anëtarësimi, si vitin 2025 për Serbinë dhe Malin e Zi si vit anëtarësimi, nëse kryhen reformat e zgjidhen konfliktet rajonale, nuk ndesh në entuziazëm në vendet anëtare. Sekretarja e Përgjithshme e Iniciativës Europiane të Stabilitetit, Alexandra Stiglmayer thotë për Deutsche Wellen se “vendet anëtare janë të shokuara, e pyesin se ç’është ky dinamizëm i ri tani, jemi të lumtur që gjërat po lëvizin ngadalë. Ka diferenca në këtë drejtim, e disa nga vendet më skeptike nuk janë aspak të kënaqura me strategjinë e re të KE.”

Zgjerimi nuk është shumë popullor në shumë vende, si në publik edhe tek qeveritë, thekson Stiglmayer. “Megjithatë ato janë të vetëdijshme, se zgjerimi duhet të ndodhë dhe do të ndodhë një ditë, por të paktën jo në kohën e mandatit tim, kështu që le ta shtyjmë sa të mundim.”

Macron e ka lidhur qartë zgjerimin me reformat në BE, thotë Stiglmayer. Por realisht, në rastin më të mirë, anëtarësimi i parë do të ndodhë në vitin 2025. E nga ana tjetër është shumë e vështirë të parashikosh si do të jetë BE në këtë kohë./  Marina Maksimovic, Lindita Arapi/DW