AktualitetEkonomiTë fundit

Ahmetaj, për paketën fiskale: Do ndryshojë ligji për tatimin mbi të ardhurat

 Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj ka zhvilluar një takim pune me Shoqatën e Ndërtuesve, për të diskutuar për paketën e re fiskale të pritshme.

“Vendosëm që konsultën e parë ta bëjmë me shoqatën tuaj, edhe për shkak të një kërkesë të kahershme që ju keni pasur, që në thelb ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë fiskale, pra ndarjen e përgjegjësisë tatimore, midis ndërtuesit/investitorit dhe pronarit të tokës. Ka qenë një diskutim e një debat i kahershëm. Në kujtesën tuaj ju keni filluar ta ngrini si çështje dhe si shqetësim që në vitin 2008”, tha Ahmetaj.

Ai shtoi se ka disa vendimmarrje e iniciativa të Kryeministrit që kanë të bëjnë me trajtimin e biznesit të vogël, të cilat do të lançohen në javët që vijojnë, të cilat mund të prekin disa ligje, midis tyre dhe ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat. “Kështu që kemi një rast të mirë, pasi të konsultohemi, pasi të sqarohemi dhe të kemi ndërtuar një racionale të përbashkët, të arrijmë në një konkluzion dhe ndoshta të përfitojmë dhe nga hapësira që do të krijohet përsa i përket këtij ligji, të bëjmë ato ndryshime që ne mendojmë se janë të duhura dhe që ju keni shumë kohë që i kërkoni”.

Ahmetaj tha se përmirësimi i klimës së biznesit është kryefjalë e qeverisë. “Dhe Progres Raporti i Komisionit Europian e theksonte me forcë që ka një përmirësim të klimës së biznesit, por ka akoma shumë për të bërë. Në të njëjtën kohë, është dhe detyrimi i qeverisë që të vazhdojë konsultimin me të gjithë, me qytetarët, me sipërmarrjen e vogël, sidomos për atë që ne kemi avancuar e që ka të bëjë me uljen e pragut të TVSH-së. Fatmirësisht biznesi i vogël është në kuptueshmëri të plotë me atë masë, në aspektin e trajtimit si procedurë, sepse është procedurë dhe jo taksë e re”.

Ahmetaj tha se deri më sot janë kontaktuar në njësitë e tyre 5700 biznese të vogla në gjithë Republikën e Shqipërisë nga 9975 biznese që do të preken nga ndryshimi i procedurës, pra nga detyrimi i deklarimit të TVSH-së.

“Ne kemi marrë një angazhim që deri në 14 korrik kur të fillojë detyrimi i deklarimit për sipërmarrjen e vogël nga 5 në 2, deri atë ditë ne do të kemi prekur, informuar, ndihmuar, sqaruar të gjithë sipërmarrjen e vogël që do të preket nga ndryshimi i procedurës. Pra, deri atë ditë, ne do të kemi prekur në njësitë e tyre me informacion, me komunikim, me sqarim, 9975 biznese. Është një fushatë shumë e thellë, shumë e detajuar, shumë e kujdeshme në funksion të sipërmarrjes së vogël”.

Ahmetaj u kujtoi bizneseve ndryshimet e fundit fiskale që kanë të bëjnë me paketën e turizmit, me uljen e tatim fitimit, me bërjen zero të tatim fitimit, me uljen e TVSH-së, me mos aplikimin e taksës së infrastrukturës apo të pronës, për ndërtues/investitorë në struktura akomoduese 4 e 5 yje.

Ka një iniciativë të fundit të Kryeministrit që do të prekë agroturizmin me të njëjtën frymë dhe në vazhdën e saj, po e një iniciativë tjetër e kryeministrit, por në këndvështrim të lehtësimit  të barrës fiskale për sipërmarrjen.

“Dua tu kujtoj me modesti që qeveria po ul barrën fiskale në vazhdimësi për sipërmarrjen, që pas momentit të vitit 2013 kur trashëguam atë rrezikshmëri ekonomik e mal me borxhe dhe, në të njëjtën kohë, po vazhdojmë të ulim borxhin publik që është gangrenë në kurriz të qytetarëve. Edhe Raport Progresi dje e theksonte me kënaqësi e ndaj me ju që situata ekonomike e Shqipërisë e ka lënë mbrapa krizën, por sigurisht që ka sfidat dhe risqet e veta”, tha Ahmetaj./Monitor