Wigemark: Nuk ka rrezik të konfliktit të armatosur në BeH dhe rajon
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Bosnje e Hercegovinë, ambasadori Lars-Gunnar Wigemark, sot në Sarajevë deklaroi se nuk ka analiza nga jashtë që çojnë në rrezikun e një konflikti të mundshëm të armatosur në Bosnje e Hercegovinë dhe në pjesën tjetër të rajonit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në pyetjen e një gazetari për të komentuar deklaratën e djeshme të Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili tha se “BE duhet të sigurojë perspektivën evropiane të vendeve të Evropës Juglindore, në mënyrë që të shmang përsëritjen e përleshjeve të armatosura të viteve të 90-ta”, Wigemark ka thënë se këto vërejtje janë mendimi i tij personal, por se ndoshta ka folur në kontekstin e perspektivës afatgjate.
“Mund t’ju siguroj se nuk kam parë kurrfarë dokumente dhe analiza të cilat në çfarëdo forme do të çonin në rrezik të ndonjë përleshje të mundshme të armatosur, kryesisht në Bosje e Hercegovinë, por edhe në pjesën tjetër të rajonit. Ndoshta Juncker ka folur në kontekstin e perspektivës afatgjate, duke menduar se pa arritjen e progresit, pa stabilitetit, në rast se vendet në rajon vazhdojnë të sillen në një rreth vicioz, nuk ka stabilitet për të gjithë rajonin”, ka thënë Wigemark.
Ai citoi deklaratën e Komisionerit për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, se BE-ja nuk dëshiron të importoj paqëndrueshmëri, por stabilitetin që e ka arritur.
“BE-ja në thelbin e saj paraqet një projekt të paqes që ka qenë i suksesshëm për anëtarët e saj, por jo aq i suksesshëm për vendet që mbeten jashtë. Le të shikojmë vendet me të cilat kufizohet BE-ja, si është Ukraina sot, apo kjo zonë para më shumë se dy dekada. Ata nuk kishin mundësinë të gëzonin një stabilitet të tillë”, tha Wigemark.
Ai ka shtuar se javën e kaluar pesë deputetë nga Parlamenti Evropian vizituan Bosnje e Hercegovinën, ku u takuan me ministren e Mbrojtjes të këtij vendi, Marina Pendesh, ministrin e Sigurisë Dragan Mektiç, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa përfundimi i tyre zyrtar ishte se “nuk ka rrezik nga konflikti i armatosur në Bosnje e Hercegovinë”.