AktualitetBota+PolitikëTë fundit

Trump: SHBA kanë filluar bisedime të drejtpërdrejta me Phenianin

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara kanë filluar bisedime të drejtpërdrejta me Korenë e Veriut.

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Mike Pompeo, shkoi kohët e fundit në Korenë e Veriut për t’u takuar me udhëheqësin Kim Jong Un.

Zyrtarët thonë se takimi sekret midis zotit Pompeo dhe udhëheqësit koreanoverior u zhvillua në përgatitje të një takimi të mundshëm të nivelit të lartë midis Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit.

Gazeta Washington Post, e cila e njoftoi e para takimin mes zotit Pompeo dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, tha se shefi i CIA-s ishte në Phenian gjatë fundjavës së Pashkëve, pak pasi ishte emëruar për postin e Sekretarit të Shtetit.

Por Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se Presidenti Trump dhe udhëheqësi koreanoverior nuk kanë folur drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.

Zoti Trump ka në plan të takohet me Kim Jong Unin në fillim të qershorit, me synimin që Koreja e Veriut t’i japë fund programit të saj të armëve bërthamore, që përbën një kërcënim në rritje për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon.