Rama: Një ditë e rëndësishme për Shqipërinë
“Sot është një ditë e rëndësishme në historinë e vendit tonë: Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë. Raporti i Zgjerimit të BE-së konfirmon se jemi në rrugën e duhur dhe hap në të njëjtën kohë rrugën për reforma të mëtejshme që do të pasojnë.” – me këto fjalë reagoi kryministri i Shqipërisë Edi Rama lidhur me rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Angazhim i përhershëm
I vetëdijshëm se rekomandimi është vetëm një hallkë drejt negociatave, Rama tha se anëtarësimi në BE është një proces i gjatë dhe ka nevojë për angazhimin tonë të përhershëm. Sipas tij reagimet pozitive në rekomandim janë “vetëm një hap tjetër drejt qëllimit tonë për t’u bashkuar me BE-në së shpejti.”
Komisioni vërejti se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë varet nga rrethana “që këto vende të ruajnë dhe të thellojnë dinamikën aktuale të reformave”.
Shpresa për aprovim
Negociatat e anëtarësimit zgjasin shumë vjet dhe ato nuk ofrojnë garanci për anëtarësi. Po ashtu hapja e negociatave të anëtarësimit duhet të aprovohet nga shtetet anëtare të BE dhe marrja e këtij aprovimi mund të rezultojë e vështirë. Prandaj Rama tha “ne shpresojmë që shtetet anëtare do ta mbështesin rekomandimin e Komisionit dhe që që nga sot ta intensifikojmë më tej bashkëpunimin ekzistues me shtetet anëtare.”