Bota+

Nikolla-Yılmaz: Lënda e gjuhës shqipe, hap për thellimin e vëllazërisë Turqi-Shqipëri

 Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, është takuar në Izmir të Turqisë me ministrin turk të Arsimit, İsmet Yılmaz, me të cilin po ashtu mori pjesë në ceremoninë e fillimit të mësimit të gjuhës shqipe në një shkollë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit në qytezën Kemalpasha të Izmirit, dy ministrat vizituan lagjen Halibeyli, i populluar kryesisht me shqiptarë dhe boshnjakë, ndërsa më pas morën pjesë në një ceremoni me rastin e fillimit të mësimit të gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në shkollën fillore të mesme Alija Izetbegoviç.

Ministri turk Yılmaz shprehu urime për fillimin e orëve të gjuhës shqipe.

Yılmaz theksoi se Shqipëria dhe Turqia kanë të kaluar të përbashkët qindravjeçare dhe janë dy shtete mike dhe vëllazërore. Sipas tij, edhe pse dy vendet nuk kanë kufi të përbashkët, lidhjet e forta historike bëjnë që dy vendet të ndihen si dy vende të përkushtuara për njëra tjetrën me historinë dhe kulturën e përbashkët.

Yılmaz tha se pas Shqipërisë, Turqia është vendi ku jetojnë më së shumti shqiptarë.

Ai tha se nxënësit në këtë shkollë mund të zgjedhin lëndën e gjuhës shqipe dhe shtoi se lidhjet me popullin shqiptar do të forcohen tutje përmes fëmijëve.

“Tregues i këtij interesimi është edhe prania e ministres së nderuar dhe delegacionit shoqërues. Ministria jonë ka përgatitur dhe siguruar falas tekstet shkollore për nxënësit. Librat i kemi vënë në përdorim edhe në faqen e internetit të EBA-së (Rrjeti i Arsimit dhe Informatikës). Emocionet e nxënësve për të mësuar këtë gjuhë tregojnë se kemi bërë gjënë e duhur. Shqipëria ka vend të veçantë në zemrën e popullit tonë”, tha ministri Yılmaz.

“Ne duam të zhvillojmë bashkëpunimin në çdo fushë mes dy shteteve”, theksoi Yılmaz, duke theksuar se distanca mes Shqipërisë dhe Turqisë nuk është pengesë për vëllazërinë mes dy vendeve. “Uroj që lënda zgjedhore e gjuhës shqipe të avancojë tutje miqësinë dhe vëllazërinë mes vendeve tona”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, ministrja shqiptare Nikolla tha se ndihet e emocionuar me këtë rast. “Kam pritur me shumë kënaqësi dhe jam shumë e nderuar me ftesën e ministrit të Arsimit për të qenë në këtë vizitë. Emocionet që përjetova sot tejkaluan të gjitha pritshmëritë që unë kisha për këtë vizitë. Jam ndier si në një familje”, tha ministrja Nikolla.

Ajo shprehu falënderime për, siç tha, mundësinë e dhënë për mësimit të kulturës dhe gjuhës shqipe.

“Informacioni është pasuria më e madhe. Ne do të vazhdojmë të ndajmë informacionin mes dy vendeve. Kemi të kaluar të fuqishme. Duhet ta forcojmë tutje bashkëpunimin. Do të kthehem e emocionuar në Shqipëri dhe do të kem më shumë përgjegjësi. Ashtu siç ju përpiqeni për gjuhën shqipe, edhe ne atje do të bëjmë përpjekje më të mëdha për gjuhën turke”, tha Nikolla.

“Biseduam me ministrin e nderuar sot. Në të ardhmen do të formojmë një komision, i cili do të jetë hap për bashkëpunimin që do ta bëjmë. Do të ketë shkolla të binjakëzuara dhe këmbim informacioni. Do të bëjmë çmos për ta forcuar bashkëpunimin tonë”, shtoi ministrja Nikolla.

Ajo ftoi homologun e saj në Shqipëri, duke thënë se Shqipëria “është po kaq e bukur sa Turqia dhe po kaq miqësore dhe e dashur sa populli turk”.

Gjatë ceremonisë, nxënësit performuan valle popullore nga Shqipëria dhe Turqia, pjesë muzikore në dy gjuhët dhe poezi në gjuhën shqipe.

Pas fjalimeve, dy ministrat vizituan klasat e shkollës, duke biseduar me nxënësit që kanë zgjedhur gjuhën shqipe si lëndë mësimore.