Lista që la Mogherini
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini vizitoi Shqipërinë, në kuadër të turneut të saj ballkanik, pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, në të cilin u rekomandua që Shqipëria të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.
Mogherini i dorëzoi personalisht Raportin e Progresit bashkë me vendimin për rekomandimin e çeljes së negociatave krerëve të institucioneve të Shqipërisë.
Përfaqësuesja e BE-së u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ata, në një konferencë të përbashkët për media thanë se kjo është ditë e rëndësishme për Shqipërinë.
Mogherini uroi Shqipërinë dhe tha se ky është rezultat i një pune kolektive, pas një përpjekjeje kombëtare dhe arritje e të gjitha institucioneve shqiptare, si dhe e Bashkimit Evropian.
“Ju realizuat (reformat) dhe ne përmbushëm atë që thamë. Kështu që vërtet besoj se ky është një moment historik për Shqipërinë, por edhe për Bashkimin Evropian sepse kjo është një punë e përbashkët që ne e kemi bërë”, u shpreh Mogherini.
“Mbajtja dhe thellimi i reformave që janë ndërmarrë është puna kryesore që ne kemi përpara. Natyrisht është moment festimi, por është edhe moment për të parë se çfarë punë të mëtejshme duhet të bëjmë”, shtoi ajo.
Megjithatë, zyrtarja e lartë e BE-së tha se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë në pesë prioritetet, që përfshijnë: reformën në administratën publike, efikasitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e mbështetjen e të drejtave të njeriut.
“Pesë përparësitë kyçe – e ju i dini përmendësh– do të mbeten elementet kryesore mbi të cilat qytetarët shqiptarë do të vlerësojnë e gjykojnë kapacitetet e institucioneve për të përmbushur nevojat e tyre. Natyrisht këto do të mbeten baza për punën tonë në të ardhmen”, tha Mogherini.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe rajoni kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Ai tha se ky është rezultat i të gjithë atyre që punuan për transformimin e vendit dhe se “përpjekjet e Shqipërisë për rrugën evropiane, nuk kanë qenë aspak të lehta”.
“Shqipëria ka marr atë që meriton në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit të saj, as më shumë e as më pak. Forcat tona të jashtëzakonshme për të kaluar reformën në drejtësi, për të ligjëruar dhe filluar zbatimin e vetingut, për të çrrënjosur kanabisin nga territori i vendit tonë dhe shtrënguar rrethimin e shtetit për krimin e organizuar”, tha Rama duke numëruar të arriturat e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të kornizave të bashkëjetesës për minoritetet dhe zgjeruar hapësirat e lirisë së shprehjes.
“Por ky nuk është fundi i përpjekjeve, por vetëm fundi i një faze dhe fillimi i një tjetre, jo më të lehtë, por edhe më të vështirë. Kapitulli historik që kemi mbyllur dje me shkrimin dhe vulën e Komisionit Evropian ja ka lënë sot vendin një tjetër kapitulli historik që mbetet i gjithi për t’u shkruar”, shtoi kryeministri.
Ai gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të punojnë bashkë si “një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, kur flasim për Shqipërinë jashtë Shqipërisë”, duke shtuar se “Shqipëria i ka bollë nëpër Europë ata që duan t’i nxjerrin bishta dhe që nuk e kanë problem t’i vënë shkopinj nën rrota”.
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Federica Mogherini takoi edhe presidentin e vendit, Ilir Meta.
Ai, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar përfaqësuesit e BE-së dhe Komisionit Evropian dhe tha se Shqipëria duhet të vazhdojë të thellojë reformat e saj.
Mogherini gjatë kësaj vizite në Shqipëri u takua edhe me përfaqësues të opozitës shqiptare.
Shqipërisë i ishte dhënë statusi i kandidatit për Bashkim Evropian në vitin 2014 dhe ka pritur fillimin e negociatave për anëtarësim deri tani. Negociatat për t’iu bashkuar familjes evropiane pritet të fillojnë në qershor të këtij viti.