Xhaçka në Pentagon: Thirrje për prani ushtarake të SHBA në Shqipëri
Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis falenderoi sot Shqipërinë për angazhimin e saj në NATO si një vend aleat, kontributi i së cilës shkon përtej madhësinë si shtet. “Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në aleancë. Si një aleate e vendosur, Shqipëria godet më fortë se sa pesha e saj”, tha Sekretari Mattis gjatë takimit me Ministren e Mbrojtjes të Shqipërisë Olta Xhaçka.
Ai vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë për të mos lejuar, siç u shpreh ai “ndikimin e dëmshëm rus në rajon”. “Angazhimi i Shqipërisë për pjesën e barrës që i takon vjen në një kohë kur Rusia po kërkon të përçajë aleacën tonë. Gjithashtu, pak vende në rajon kanë qëne më vigjilente se Shqipëria lidhur me ndikimin e dëmshëm rus në rajon dhe unë ju përgëzoj për punën tuaj për të ruajtur integritetin e institucioneve shqiptare”, tha sekretari Mattis.
Shqipëria ofron baza ushtarake
Gjatë takimit të martën në Pentagon, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Ajo tha se Shqipëria po paraqet disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s.
Zonja Xhaçka u sugjeroi zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes të shikojnë mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, një prani e SHBA ose e NATO-s mund të ishte një demonstrim i qartë se ky rajon nuk është harruar nga aleatët.
Ajo propozoi konkretisht baza dhe kantiere detarë të Shqipërisë, një aeroport ushtarak për furnizimin me karburant në ajër dhe zonën e stërvitjes në Bizë të Elbasanit si ide që mund të eksplorohen.
Ajo shprehu dëshirën që SHBA të shtojnë praninë e industrisë ushtarake në Shqipëri. Zonja Xhaçka tha se në Shqipëri mund të ketë zona të gjera ku SHBA mund të investojnë. Ajo tha se në një takim me firmën Lckheed-Martin në Uashington, i kishte ofruar firmës të angazhohet më shumë në shtimin e aftësive të vëzhgimit ajror dhe detar të Shqipërisë.