Xhaçka: Mbështetja e SHBA me rëndësi për axhendën europiane
Me ftesë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes James Mattis, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon një sërë takimesh të rëndësishme në Senat dhe në Kongres.
Në Capitol Hill, ministrja Xhaçka është pritur në një takim të veçantë nga senatorët Tom Cotton dhe kongresmenët Matt Gaetz dhe Jim McGovern. Në këto takime, ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen e rëndësishme të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi, ndërsa diskutoi dhe mbi partneritetin strategjik mes SHBA dhe Shqipërisë. “Mbështetja amerikane është shumë e rëndësishme edhe për axhendën europiane të Shqipërisë”, – tha ajo.
Në vizitën e saj në SHBA, ministrja e Mbrojtjes është takuar dhe me përfaqësues të kompanisë amerikane, Lockheed Martin, kompani elitë në botë në fushën e industrisë ushtarake. Aktualisht “Lockheed Martin”, po punon për Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të hapësirës ajrore shqiptare (SIVHA). Kontrata për blerjen e SIVHA u miratua në nëntor 2017.
Ministrja Xhaçka u shpreh se Sistemi i Integruar për Vëzhgimin e Hapësirës Ajrore është me rëndësi, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por për të gjithë aleancën e NATO. “Jemi të interesuar për praninë e investimeve të mëtejshme të industrisë ushtarake amerikane në Shqipëri. Sistemi i integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore është me rëndësi, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por për të gjithë aleancën e NATO”, – theksoi Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka do të pritet në një takim të veçantë nga sekretari i Mbrojtjes, James Mattis