Turizmi shqiptar: 4.7% rritje, 2202.4 miliardë lekë (9.3% të PBB-së) deri në vitin 2028
Kontributi i turizmit në PBB-në e Shqipërisë pritet që të jetë 26.3% për vitin 2018. Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin për vitin 2018 për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive. Sipas raportit, kontributi i drejtpërdrejtë i këtij sektori në PBB në vitin 2017 ishte 1.134.1 miliardë lekë (8.5% e PBB-së). Kjo parashikohet të rritet me 3.9% në 393.3 miliardë lekë në vitin 2018. “Rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve (me përjashtim të shërbimeve të udhëtarëve). Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetur drejtpërdrejt nga turistët.”- citohet në raport.
Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB pritet të rritet me 4.7%, duke arritur në 2202.4 miliardë lekë (9.3% të PBB-së) deri në vitin 2028.
Kontributi i përgjithshëm i turizmit në PBB (përfshirë efektet më të gjera nga investimi, zinxhiri i furnizimit dhe impaktet e të ardhurave) ishte 414.2 miliardë lekë në 2017 (26.2% e PBB) dhe pritet të rritet me 4.4% në 432 .3 mld lekë (26.3% të PBB-së) në vitin 2018. Ndërsa në terma afatgjatë, parashikimi për 2028 është rritje me 4.7% në 684.2 miliardë lekë në vitin 2028 ( ose 28.9% të PBB-së).
Në raport, gjithashtu theksohet se Shqipëria renditet e 95-a në botë sa i përket ndikimit të këtij sektori në PBB e vendit, me një rritje të lehtë të një shkallë nga viti i mëparshëm.