Sean Hannity, përmendet tek seancat e avokatit Cohen
Një jurist në Nju Jork ka zbuluar faktin se avokati personal i Presidentit Trump, Michael Cohen, i cili është nën hetim penal për çështje të bizneseve të tij, ka ofruar në mënyrë të fshehtë këshilla ligjore për personalitetin e njohur televiziv dhe mbështetësin e zotit Trump, Sean Hannity.
Ky fakt u zbulua të hënën nga avokati i zotit Cohen gjatë një seance në gjykatën federale të Nju Jorkut.
Seanca u mbajt sepse avokatët që përfaqësojnë zotin Cohen dhe Presidentin Trump, i kishin kërkuar gjykatëses leje për të parë dokumentet që agjentët e FBI-së sekuestruan javën e kaluar nga zyra, shtëpia dhe dhoma e hotelit e zotit Cohen, si pjesë e hetimit që po i bëjnë financave të tij.
Hetimi lidhet me akuzat se Cohen mund të ketë paguar aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen Karen McDougal që ato të mos flisnin për marrëdhëniet intime me zotin Trump.
Avokati i zonjës Daniels, Michael Avenatti, komentoi kështu për nxjerrjen në seancë të emrit të zotit Hannity:
“Mendoj se kjo flet shumë. Sean Hannity u la në baltë nga avokati i zotit Michael Cohen, i cili është më i shqetësuar për mbrojtjen e presidentit sesa për mbrojtjen e zotit Hannity, por ata le t’i zgjidhin vetë punët er tyre.”
Menjëherë pas largimit të zotit Cohen nga gjykata, Sean Hannity u vu menjëherë nën kritika përfaktin që nuk i kishte zbuluar marrëdhëniet e tij me avokatin Cohen. Ndërkaq, në emisionet e tij në radio dhe televizion, ai kritikoi ashpër FBI-në për bastisjen që i bëri zyrave të avokatit Cohen.
Hannity, i cili ka një emision mjaft të ndjekur në televizionin Fox News, tha se nuk ishte klient i zotit Cohen, por se ky i fundit thjesht i kishte dhënë këshilla për disa çështje ligjore.
Ndërkaq, gjyqtarja e seancës vendosi që materali i konfiskuar nga zyrat e zotit Cohen të shqyrtohet nga një jurist i pavarur për të parë se cilat dokumente nuk mund të përdoren si provë në hetimin e prokurorëve.