Negociatat kalojnë nga Parisi e Berlini…dhe Athina
Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por vendimi përfundimtar do të merret nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Deri më tani Berlini dhe Parisi kanë përcjellë sinjale skeptike, por nuk përjashtohet edhe ndonjë vendim surprizë që mund të mbërrijë nga Athina.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u tregua i përmbajtur në deklaratën zyrtare që dha në përfundim të takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.
“Shpjegova se në cilën fazë të bisedimeve ndodhemi ne me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nënvizova nevojën që udhëheqësit në rajon duhet të kuptojnë se nuk mund të hapen negociatat e anëtarësimit përmes intervistave dhe deklaratave të vazhdueshme në publik, por duhet të tregohet seriozitet dhe bindje për të gjetur zgjidhje për problemet që kemi mes nesh”, thuhet në deklaratën e Nikos Kotzias, raporton TCH.
Janë 9 çështje që po diskutohen në tryezën dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku më e ndjeshmja është ajo për kufirin detar. Pas dy takimeve në Kretë dhe Korçë, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati thanë në fund të muajit janar se ishte arritur dakordësia në parim për kufirin detar, që do të ndahej sipas barazlargësisë.
U tha gjithashtu se në prill pritej mbërritja e Alexis Tsipras, fillimisht në Korçë për pashkët ortodokse, ku do të zhvillonte një takim informal me Edi Ramën, e në një datë të dytë në Tiranë në vizitë zyrtare, ku edhe do të nënshkruheshin marrëveshjet.
Por, prilli la pas më shumë se gjysmën e tij dhe Tsipras nuk ka vizituar ende Tiranën, ndërsa në mediat greke qarkulloi lajmi se Shqipëria është tërhequr nga marrëveshja e arritur me ndërhyrjen e Erdoganit pas takimit që pati me të në Stamboll, Kryeministri shqiptar, Edi Rama.