Kosova, shifra të paqarta punësimi
Gjatë vitit 2017 nga ndërmjetësimi i punësimit të rregullt janë evidentuar 3,215 punësime, kurse në vitin 2016 ishin punësuar 4,022 persona. Pra, krahasuar me vitin 2016, në vitin 2017 kemi rënie të punësimit prej 807 personave.
Ndërsa, në vitin 2017 janë evidentuar 12,511 vende pune, apo më pak prej 1,626 vende pune se në vitin paraprak.
Musa Demirit zyrtar për Informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPSM), tha për Telegrafi, se brenda gjashtë muajve kjo ministri ka ndërmjetësuar në punësimin e 1466 personave nga punëkërkuesit.
“Në periudhën shtator 2017-mars 2018, nëpërmjet zyrave për punësim ne kemi ndërmjetësuar në punësim të rregullt të 2346 personave, ndërkaq në masat aktive të tregut të punës janë përfshirë 1466 persona”, tha Demiri për Telegrafi.
Ai tha se nga punësimi i rregullt u punësuan 1933 meshkuj dhe 1282 femra.
“Grup-mosha 25-39 vjeç, gjatë vitit 2017 ka numrin më të madh të të punësuarve, pra me 1611 të punësuar, ndjekur nga grup-mosha 40-54 vjeç me 750 të punësuar, grup-mosha 15-24 me 738 të punësuar dhe grup-mosha më e madhe se 55 vjeç me 116 të punësuar. Gjithashtu, nga punësimi i rregullt janë punësuar 1933 meshkuj dhe 1282 femra”, tha Demiri.
Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi, ka thënë në një përgjigje për Telegrafi, se tregtia, industria përpunuese dhe ndërtimtaria janë bizneset që kanë hapur më tepër llogari në ATK për deklarimin e punëtorëve.
“Bazuar në statistikat e ATK-së, gjatë vitit 2017 sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë ka hapur 2,317 llogari për deklarimin e punëtorëve, ndjekur nga industria përpunuese me 1,250 llogari dhe ndërtimtaria me 1,161 llogari”, tha për Telegrafin, Bytyqi.
Ajo tregon se gjatë tërë vitit 2017 janë hapur më shumë se 10 mijë llogari të punëtorëve.
“Gjatë vitit 2017 janë hapur 10,296 llogari pranë ATK-së për deklarimin e punëtorëve, apo 3,413 llogari të bizneseve”, ka treguar Bytyqi.
Nëse krahasohen të dhënat me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) të dhënat mund të mos përputhen, sepse ka dallime në mes masave aktive të tregut të punës, identifikimit të vendeve të punës dhe ndërmjetësimit të vendeve të punës.
Jeton Demi, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në FKPK, në përgjigjet për Telegrafin tha se numri i llogarive të punëdhënësve ka shënuar rritje.
“Gjatë vitit 2017 ishin gjithsej 352,849 llogari aktive, nga të cilat 323,689 ishin për të punësuarit, 24,207 ishin për të vetëpunësuar dhe 4,953 ishin llogari të dyja palëve. Ndërsa, numri i llogarive të punëdhënësve ishte 28,685 për 2017, i rritur nga 27,051 që ishte një vit më parë”, tha për Telegrafin, Jeton Demi.
Ai thekson se numri i llogarive të reja të regjistruara në FKPK është rritur.
“Gjatë vitit 2017 janë hapur 49,688 llogari të reja, në vitin 2016 ishin 34,018 llogari”, tha Demi.
Sipas të dhënave të ASK-së, të publikuar në raportin ‘Anketa e Fuqisë Punëtore, viti 2017’, vetëm 42.8 për qind e personave të aftë për punë janë të përfshirë në fuqinë punëtore.
Nga e gjithë popullsia në moshë pune, 29.8 për qind ishin të punësuar. Shkalla e punësimit ishte më e lartë për meshkuj se sa për femra, apo 46.6 për qind të meshkujve në moshë pune ishin të punësuar krahasuar me 12.7 për qind të femrave po ashtu ne moshë pune.
Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 23.1 për qind e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme. Shprehur në vlera, 82424 nga 357095 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm./gazetaekonomia