Vettingu “kushtëzon” negociatat! KE kërkon kokën e “peshqve të mëdhen
E nesërmja pritet të jetë dita e “kurorëzimit” të një aspirate shumëvjeçare të Shqipërisë, pas Komisioni Europian me raportin e bërë publik ditën e sotme i rekomandon anëtareve të BE-së, hapjen e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë.
Por si çdo lajm pozitiv edhe ky e ka një të “keqe”. KE në raportin, detaje të së cilit janë zbardhur nga Top Channel, e kushtëzon ecurinë e negociatave me dy elementë thelbësorë, për të cilët BE ka kërkuar gjithmonë garanci se do të zbatohen siç e kërkon një republikë demokratike si Shqipëria.
Ato janë mbarëvajtja e mëtejshme e reformës në drejtësi dhe padyshim ecuria pozitive e procesit të vettingut. “Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtar për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit.
Në raport vlerësohet ecuria në reformën në drejtësi dhe aty reflektohen të gjitha zhvillimet kryesore, që nga nisja e procesit të vettingut. Komisioni përmend dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të profilit të lartë, mes të cilëve ishte edhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Sipas Komisionit, reforma në administratën publike për rritjen e profesionalizimit, efikasitetit dhe sidomos depolitizimit të saj ka ecur me hapa të kënaqshëm. Duke u ndalur tek korrupsioni dhe krimi i organizuar, përfshirë këtu edhe kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, Komisioni vëren se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje, por thotë se duhet më shumë punë për çmontimin e grupeve kriminale, ndëshkimin e krerëve të këtyre grupeve dhe luftës kundër pastrimit të parave.
“Përgjithësisht ka patur një progres gjatë kësaj periudhe, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit (2017). Shqipëria duhet të përshkallëzojë punën në konfiskimin e pasurive kriminale dhe të vazhdojë me sekuestrimin dhe shkatërrimin e të gjithë hashashit të mbetur stok në vend. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë ka vend për përmirësim. Ka patur pak progres në çmontimin e grupeve kriminale. Numri i të dënuarve si organizatorë të grupeve kriminale vazhdon të jetë shumë i ulët. Më shumë përpjekje nevojiten në luftën kundër pastrimit të parave, për goditjen e aseteve kriminale dhe të pasurive të pajustifikuara”, thuhet më tej në raport.
Me nota qortuese vlerësohet edhe kriteri politik. “Polarizimi i vazhdueshëm i skenës politike në 2017 preku edhe punën e Parlamentit. Opozita bojkotoi Kuvendin, gjë që shkaktoi edhe zvarritjen e ngritjes së institucioneve të Vettingut”, thotë ndër të tjera raporti. /Shqip.com