Uashingtoni mbron sulmin e aleancës në Siri
Zyrtarët amerikanë po mbrojnë sulmin me raketa në Siri, duke thënë se ato kishin si synim objektet me armë kimike të paligjshme të presidentit Bashar al-Assad. Udhëheqësi sirian i quajti sulmet një akt agresioni ndaj vendit të tij, ndërsa ka gjetur pak mbështetje në pretendimet e veta. Shtetet e Bashkuara dhe Franca thonë se kanë prova të pakundërshtueshme se forcat qeveritare siriane përdorën substancat e ndaluara kimike në një sulm të kohëve të fundit në një zonë të kontrolluar nga rebelët pranë Damaskut.
Sulmet e koordinuara me raketa të premten vonë vunë në shënjestër objektiva ushtarake, duke shmangur zonat civile dhe forcat ruse të vendosura atje. Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania thonë se sulmet dëmtuan aftësitë e Sirisë për të prodhuar armë kimike. Postimi i Presidentit Donald Trump në Twitter “Misioni i Përfunduar”, u përball me kritikët që thonë se një goditje e vetme nuk mund të sjellë ndryshime. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauret,e mbrojti veprimin e ndërmarrë.
“Bota mban përgjegjësi për të goditur dhe ndaluar atë që po bën Siria. Kështu që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët vunë në shënjestër tre objektiva për të cilat e dimë se po strehonin dhe testonin armë kimike.”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders,tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët arritën synimin e tyre.
“Synimi ishte shkatërrimi i infrastrukturës kritike të armëve kimike në Siri, dhe kjo u arrit. Goditja dërgoi një mesazh të fuqishëm për Sirinë, Rusinë dhe Iranin, se kur ky president vë vijën e kuqe, ai do ta zbatojë atë.”
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë kritikat se presidenti Trump mund të mos ketë një politikë të qartë mbi rolin amerikan në Siri.
Ai do të mundë ISIS dhe ka folur vazhdimisht për këtë. Ky qëllim pothuajse është arritur.”
Ajo tha se Presidenti Trump po ashtu dëshiron të përmbajë influencën e Iranit në rajon dhe të ndalojë përhapjen e armëve kimike.
Siria dhe Rusia aleate mohuan përdorimin e gazeve helmuese në sulmin qeveritar ndaj rebelëve në një zone pranë Damaskut në fillim të muajit. Gjatë një takimi të dielën me një delegacion rus, presidenti sirian Bashar al-Assad e quajti sulmin me raketa, një akt agresioni. Në disa pjesë të botës arabe pati reagime të ngjashme.
Disa parti opozitare në Evropë po ashtu vunë në pikpyetje ligjshmërinë e sulmit. Christian Jacob është republikan i qendrës së djathtë në parlamentin francez.
“E them me shumë kujdes faktin se Franca ka ndërhyrë pa një mandat të saktë nga OKB. Kjo mund të ketë pasoja në vend, tek pesha që ka Franca në arenën ndërkombëtare.”
Administrata e Presidentit Trump thotë se trupat amerikane do të qëndrojnë në Siri deri sa të eleminohet kërcënimi nga Shteti Islamik, Irani dhe armët kimike. Zyrtarët e kanë bërë të qartë se nuk kanë për qëllim largimin e Assadit nga pushteti .