AktualitetPolitikëTë fundit

Kryeparlamentari Veseli:Kërkoj falje për fyerjen që prek botën femërore

Deputetja nga LVV-ja gjatë shqyrtimit të projektligjit për gjykatat, Drita Millaku, ndërroi kontekstin e debatit, duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës duke i thënë se në çdo situatë jashtë kontrolli në Kuvend ke treguar “fytyrën tënde”, duke ngritur zërin për sharjen që ka bërë kryetari i Kuvendit gjatë seancës për demarkacion, raporton Ekonomia Online.

“Unë kam disa vërejtje për kryetarin e Kuvendit, i cili para disa ditësh derisa mbanim seancën parlamentare për demarkacionin, pa fije turpi i shau deputetët këtu dhe deshta t’i them z.kryetar nuk ta kemi borxh se nuk i keni marrë votat për me i sha robtë e deputetëve”.

“I shfrytëzon këto situata të tilla, e hjek maskën tënde dhe tregon fytyrën e vërtetë që e ke. Nuk është në rregull sepse e kemi kuptu vonë, nuk e kemi kuptu gjatë seancës derisa na arrestun e kuptuam që i ke bërë këto fyerje, për besë nuk kishe pshtu kaq lehtë nëse të kishim dëgju”.

“Jo që kam diçka konkrete me ty, nuk lejojmë me na sha familjarët. Shyqyr Zotit që nuk të kam dëgju kur na i ke sha krejtve robtë e shtëpisë këtu, se qat gazin lotsjellës në gojë ta kisha shti. E ke tregu fytyrën tane sa herë ka pasë situata të tilla”.

Veseli iu drejtua duke i thënë “zojë ti si me pasë lidhje diçka me mu, unë me ty nuk kam kurgjë, çka m’u ke gju se më sakatove”.

Këto deklarata të deputetes Millaku kanë ardhurpasi gjatë seancës kur është hedhur gaz lotsjellës, javë më parë kryeparlamentari Kadri Veseli pasi kishte bërë thirrje që punimet të ndërprehen ai edhe kishte sharë.

Besa Gaxherri mbrojti deputeten Millaku dhe kërkoi nga Veseli t’u kërkonte falje grave deputete.

“Zotëri kryetar përdorimi  i gjuhës tuaj banale dhe denigruese dhe e cilitdo deputet këtu është e papranueshme. Pa marrë parasysh, ju jeni kryetar i Kuvendit, kur ndonjëra prej neve këtu devijon ose degradon, na presim prej teje që me ua ndal fjalën ose me marrë masa, e jo me dëgju gjuhën çfarë e dëgjuam sot nga ju. Andaj kërkoj që t’i kërkoni falje Kuvendit e në radhë të parë grave deputete këtu, në të kundërtën kërkoj nga të gjitha gratë që me lëshu seancën”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi falje.

“Nuk ka pasë kryetar që ka mbrojtë dinjitetin. Kërkoj falje për fyerjen që prek botën femërore, kërkoj falje 1 milionë herë, edhe përkulem nuk më vjen turp.

Abuzimi si bëhet me gratë deputete kjo nuk më pëlqen. Nëse ka me kërku falje, e lëshoj sot kryesimin e seancës, nuk ishte qëllimi i fyerjes së identitetit të gruas, po të thotë në kaq mënyrë të vrazhdë një grua nuk është si duhet”.