Ekskluzive/KE-ja: Shqipëria progres të prekshëm, të hapen negociatat!
Komisioni Evropian do te rekomandoje neser Bashkimit Evropian që të nisë negociatat zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Report TV ka siguruar dokumentin ekskluziv të raportit të Brukselit.
Në vlerësimin e saj, KE-ja gjykon se Shqipëria ka bërë një progres gjithëpërfshirës, që nga lufta kundër narkotikëve, e deri te sistemi i gjyqësorit, pa harruar çështje jetike si pronat dhe të drejtat e pakicave.
Sipas Komisionit, hapja e negociatave është e domosdoshme që thellimi i reformave të vijojë me ritmin e kënaqëshëm në të cilin ndodhet.
Marrja e këtij rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian për Shqipërinë është gjysma e rrugës drejt ëndrrës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Vendimi përfundimtar jepet në qershor, kur Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare do të mblidhen dhe do të votojnë nëse pranojnë apo jo hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Përpara se të mbërrijnë në këtë datë, rekomandimi i kësaj të marte nga komisioni ju përcillet në parlamentet e vendeve anëtare të cilat marrin vendim nëse do ta mbështesin apo jo Shqipërinë. Më pas do të shprehen në Këshillin e Ministrave, ku mjafton qoftë edhe vota e një prej vendeve anëtare kundër dhe vendi ynë mund ta humbasë trenin për më shumë se një vit, sepse vetë Bashkimi Evropian do të hyjë në zgjedhje të brendshme.
Po kush janë vendet që mund të rrezikojnë Shqipërisë. Deri më tani, 4 vende janë të lëkundur: Franca, e cila ka shqetësim kryesor nivelin e azilkërkuesve, Gjermania që është e shqetësuar për kriminalitetin në tërësi, Holanda që konsideron problem trafikun e narkotikëve, dhe Britania e Madhe që në tërësi është mosbesuese ndaj projektit evropian, teksa vetë është një këmbë jashtë saj.
Të gjitha këto vende i bashkon shqetësimi i sundimit të shtetit të së drejtës në vendin tonë, por provat e para të procesit të Vettingut, si dhe vetë dëshira e vendeve kryesore të BE-së për ta mbajtur gjallë projektin e unionin, mund ta favorizojnë Shqipërinë.
Vendet kryesore të Bashkimit Evropian mund të mbyllin sytë ndaj gjendjes së Shqipërisë, për të mbajtur në këmbë frymën e BE-së dhe për të frenuar ambiciet Ruse në Ballkanin Perëndimor.