AktualitetPolitikëTë fundit

Basha në Berlin: Po i kërkojmë kancelares Merkel, t’i japë Shqipërisë dritë jeshile për negociatat

Ka ende  24 orë nga momenti kur Komisioni Evropian do të vendosë t’i hapë ose jo rrugë çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe  kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Berlini, njofton se në emër të opozitës i ka kërkuar grupit qeverisës të udhëhequr nga kancelaria Merkel, CDU/CSU që të hapë dritën jeshile për vendin tonë.

“Sot kemi kërkuar bashkë me zotin Bylykbashi që CDU/CSU të pranojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kemi kërkuar mbështetjen si një akt pranimi për çdo shqiptar. Si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret si lufta kundër krimit të organizuar, reforma në drejtësi si dhe respektimi i të drejtave të njeriut”, u shpreh Basha në një video live nga një takim pune në Berlin.

Basha u shpreh më tej: “ Në emër të PD kemi garantuar se duhet parë ky si një proces për të çmontuar narkoshtetin, një problem jetik për Shqipërinë, për të vendosur të gjithë shqiptarët të barabartë para ligjit, për të arrestuar kriminelët, për të çliruar ekonominë nga monopolet, për të rikthyer konkurrencën si parakusht për zhvillimin ekonomik.”

Lideri i opozitës theksoi se “përmes hapje së negociatave do të vazhdojë më e intensifikuar beteja e opozitës për të çliruar Shqipërinë nga krimi i organizuar dhe padrejtësia”.

Basha theksoi se takimi i parë në Bundestag ka qenë i suksesshëm dhe se ai dhe grupi i punës nga PD do të vazhdojnë me takime të tjera, natyrisht duke ndjekur me vëmendje të plotë zhvillimet në Shqipëri./ shqip