Të dyja humbëse!
Nëse për Napolin Milani do të ishte treni i fundit në luftën për titullin dhe për Milanin Napoli do të ishte bileta e fundit për në Ligën e Kampionëve, atëherë të dyja skuadrat kanë dalë nga fusha e lojës të humbura.
Në San Siro, kryesfida e ndeshjeve së drekës të Serisë A nuk prodhoi gola.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Gattuso dhe skuadra e Sarri-t mbyllën 0-0 një ndeshje ku të dyja skuadrat nuk ishin fort të qarta në lojën e tyre, sidomos në fazën sulmuese, megjithëse Milanin e shpëtoi me pritjet e tij Gigio Donnarumma.
Nga ky rezultat, fituesi i madh mund të jetë Juventusi, që nëse fiton ndaj Sampdorias në ndeshjen e orës 18:00 do të vendoste njërën dorë tek titulli i shtatë radhazi, pasi diferenca me Napolin e vendit të dytë do të shkonte në +6, me gjashtë ndeshje për t’u luajtur deri në fund.
Ndërkohë, Milani ruan vendin e gjashtë që e çon në kualifikueset e Europa League dhe kjo falë edhe hapit fals të Fiorentinës, që më herët u ndal në barazim po pa gola ndaj Spalit.
Në mbrëmje luhet derbi i kryeqytetit, ai mes Lacios dhe Romës, një takim që veç rivalitetit ka në mes edhe një vend në Champions.