Stoltenberg thirrje aleatëve për më shumë mbështetje ndaj Turqisë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke vënë në dukje se NATO ka një prani serioze në Turqi për ta mbështetur atë, u ka bërë thirrje të gjithë aleatëve të ofrojnë më shumë mbështetje ndaj Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Stoltenberg iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel përpara një vizitë zyrtare që do të kryejë në Turqi më 16 prill.
Ai deklaroi se Turqia është një aleat i vlefshëm dhe me rëndësi strategjike për NATO-n dhe ka theksuar se në kuadër të vizitës të tij do të bisedojë rreth shumë çështjeve kritike, si operacioni “Dega e Ullirit”, lufta kundër terrorizmit dhe për krizën në Siri.
– “Qëllimi kryesor i vizitës, përgatitja për Samitin e Brukselit”
Sipas tij, qëllimi kryesor i vizitës në Turqi është përgatitja për Samitin e Brukselit që do të mbahet në korrik në Bruksel.
“Po e pres me padurim vizitën time në Ankara për shumë arsye sepse Turqia është një aleat shumë i vlefshëm dhe me një rol kyç. Ajo gjithashtu është një aleat shumë i rëndësishëm përsa i përket pozicionit të saj strategjik. Gjatë vizitës time do të diskutojmë shumë çështje se si NATO do të adaptohet në një mjedis më të vështirë sigurie dhe në kuadër të përgatitjeve për samitin kanë një rëndësi të madhe këshillimet me liderët turq”, tha Stoltenberg.
Në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe kontributin e Aleancës për Turqinë, Stoltenberg tha se NATO solidarizohet me Turqinë dhe se ajo është e rëndësishme për NATO-n, por edhe NATO është e rëndësishme për Turqinë. Ai shtoi se Aleanca ka parimin “Të gjithë për një, një për të gjithë.”
“Ofrojmë mbështetje për Turqinë, kemi të pranishme disa masa tona të sigurisë. Kemi vendosur bateritë raketore në vend për të mbrojtur hapësirën ajrore të Turqisë. Italia dhe Spanja kanë të pranishme bateritë Patriot dhe SAMP-T, në të njëjtën kohë edhe avionët (AWACS) për paralajmërim të hershëm dhe vëzhgues kryejnë fluturime vëzhguese në hapësirën ajrore të Turqisë. Në anën tjetër kemi rritur praninë e forcave detare në Mesdheun Lindor. Gjithashtu ofrojmë mbështetje edhe me elementët e tjerë si në infrastrukturë dhe me komandën tokësore të NATO-s (LANDCOM) të vendosur në qytetin Izmir”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ndër të tjera Stoltenberg ka theksuar se NATO është duke i dhënë mbështetje politike Turqisë, për shkak se asnjë vend i Aleancës nuk ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve terroriste aq shumë sa Turqia. “Ajo ka përjetuar edhe një përpjekje të dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016. NATO ka dënuar menjëherë tentativën e grushtit të shtetit që ka patur si qëllim institucionet demokratike në Turqi”, tha Stoltenberg.
Ndërsa në lidhje me kontributet e Turqisë në NATO, Stoltenberg shprehu falënderimet për kontributet që ka dhënë në misionet dhe operacionet e ndryshme paqësore të NATO-s në Afganistan dhe në Kosovë. Ai ka shtuar se Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm me infrastrukturën që ka siguruar në zonat përreth kufirit me Sirinë dhe Irakun dhe se Tuqia gjithashtu ka ofruar kontribut dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet e aleatëve të NATO-s dhe koalicionin ndërkombëtar kundër DEASH-it.
Ndër të tjera Stoltenberg është shprehur se e mirëpresin qëndrimin transparent që Turqia ka paraqitur në operacionin “Dega e Ullirit”, ku ajo shumë herë ka informuar NATO-n për përmasat ushtarake të operacionit dhe në çështjen e ndihmave.
Për operacionin e përbashkët të ndërmarrë nga SHBA, Franca dhe Britania në Siri, Stoltenberg ka theksuar se ky ishte një operacion për të cilën ishin të informuar aleatët e NATO-s të cilët kanë dhënë mbështetje të plotë. Ai tha se NATO i dënon fuqimisht sulmet ku regjimi në Siri shumë herë ka përdorur armë kimike.
Në lidhje me pyetjen rreth tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë në Detin Egje, Stoltenberg ka theksuar se Turqia dhe Greqia janë dy anëtarë shumë me vlerë të NATO-s që prej anëtarësimit të tyre në vitin 1952, të cilat që të dyja ofrojnë kontribute të rëndësishme për sigurinë e përbashkët.
“Mendoj se ato duhet t’i zgjidhin në kuadër të mirëkuptimit disa mosmarrëveshje mes tyre. Jam i kënaqur që mësova se kryeministrat e të dy vendeve në bisedat e tyre telefonike kohët e fundit janë dakorduar që problemet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Kjo nuk është një çështje që i intereson NATO-s. Kjo është një çështje e cila duhet të zgjidhet mes Turqisë dhe Greqisë”, ka theksuar Stoltenberg.
Për anëtarësimet e reja, Stoltenberg është përgjigjur se NATO i ka dyert e hapura për të gjithë dhe prova më e mirë e kësaj është anëtarësimi i Malit të Zi, duke shtuar se po vazhdojnë punimet edhe për Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Gjeorgjinë. “Ne po ndihmojmë gjithashtu duke u ofruar mbështetje për këto tre vende që kërkojnë anëtarësim në mënyrë që ato t’ia arrijnë qëllimeve të tyre euro-atlantike. Është shumë herët për të shpjeguar një vendim të qartë”, theksoi ai.
Gjatë vizitës në Turqi, Stoltenberg, të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlüt Cavusoglu dhe ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Nurettin Canikli.