Stamboll-Ohër: Fluturimi i parë
Me rastin e mbërritjes së avionit në kuadër të fluturimit të parë të drejtpërdrejtë Stamboll-Ohër, u mbajt promovimi zyrtar i kësaj linje ajrore të cilën e realizoi kompania turke Onur Air
Në njoftimin e Ministrisë për Transport dhe Lidhje të Maqedonisë, thuhet se ministri Goran Sugareski në fjalimin e tij në ceremoninë në fjalë ka nënvizuar përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë për avancimin e trafikut ajror në vend, duke shtuar se në periudhën e ardhshme, aeroporti i Ohrit do të promovohet për një aeroport të kompanive ajrore me buxhet të ulët.
“Kjo linjë është e një rëndësie të veçantë për ne, sepse në mënyrë shtesë do të forcojë lidhjet tona me popullin e Turqisë”, theksoi Sugareski.
Ai shtoi se pasuria turistike dhe kulturore e Ohrit, Strugës dhe qyteteve të tjera të Maqedonisë do të jetë një motiv shtesë për turqit për të vizituar Maqedoninë.
“Vendosja e linjës është një dëshmi se Republika e Maqedonisë është atraktive për të gjitha aviokompanitë. Dëshiroj të njoftoj se së shpejti do të publikojmë thirrjen publike për përkrahje financiare të kompanive me buxhet të ulët të cilat do të ofrojnë linja të reja, për tu mundësuar qytetarëve tanë të udhëtojnë lirë në shumë metropole”, tha ai./ Anadolu Agency ( AA).