Real-Juve vazhdon… Kërcënohet bashkëshortja e arbitrit Oliver
Real Madrid-Juventus është mbyllur në fushën e lojës, por jo jashtë saj. Tifozë të tërbuar kanë vënë në shënjestrën e tyre bashkëshorten e arbitrit Michael Oliver, Lucy, në profilin e së cilës në rrjetet sociale nuk i kursyen fyerjet seksiste, madje arritën sa të bënin edhe kërcënime me vdekje në drejtim të vet arbitrit.
Është rrjeti BBC që ka publikuar disa nga komentet fyese në drejtim të Michael Oliver e bashkëshortes së tij, duke i përkthyer frazat nga gjuha italiane në atë angleze.
Ndërkohë, policia britanike ka hapur menjëherë hetimet për fyerjet ndaj Lucy Oliver, e cila ka marrë mesazhe kërcënuese edhe nëpërmjet mesazheve telefonike.
Ndeshja mes Realit të Madridit dhe Juventusit u mbyll në mënyrë dramatike për bardhezinjtë, teksa Buffon u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 93-të, ndërsa Realit iu akordua një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Ronaldo, duke bërë që madrilenët të kalojnë në gjysmëfinalet e Championsit.