Opinione mbi sulmet në Siri
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca të shtunën kryen sulme ushtarake kundër qeverisë së presidentit Asad për shkak të përdormit të armëve kimike nga Siria kundër banorëve të saj. Sulmet kishin objektiv reduktimin e aftësisë së Sirisë për përdorimin e armëve kimike në të ardhmen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jill Craig bisedoi me banorë dhe turistë në Uashington, për të mësuar se çfarë mendojnë rreth sulmeve.
Grupe njerëzish u mblodhën dje para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër sulmeve ushtarake amerikane, britanike dhe franceze që goditën godinat e armëve kimike siriane.
“Unë mendoj se ky sulm ndaj Sirisë është thjeshtë pjesë e trashëgimisë së imperializmit amerikan, e bindjes se ne mund të diktojmë dhe kontrollojmë ato që ndodhin në mbarë botën. Dhe kjo, në mënyrë të pashmangshme, gjithmonë rrit mundësinë e konfliktit, shkatërrimit, vuajtje dhe humbje jete” thotë Michael Pappas, një student i mjekësisë.
Të tjerë thonë se mbrojtja e civilëve duhet të jetë prioritet.
“Për sa u përket goditjeve dhe shkatërrimit të armëve kimike, e shoh si diçka pozitive, nëse këto armë po lëndojnë civilët sirianë. Por shqetësohem nëse në këto sulme u plagosën ose u vranë civilë sirianë në terren. Nëse kjo ndodh, është e tmerrshme” thotë Zach Jones.
…dhe ai nuk është i vetmi banor i Uashingtonit që ndihet në mëdyshje…
“Kam mendime kontradiktore në lidhje me këtë. Mendoj se është e nevojshme, jam e kënaqur që po përpiqemi të bëjmë diçka për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në Siri, por jam edhe e shqetësuar, sepse bombardimi nuk është domosdoshmërisht zgjedhja ime e parë,” thotë Beth.
Ndërsa të tjerë këtu në Uashington besojnë se veprimi ushtarak ishte i domosdoshëm ndaj presidentit sirian Assad.
“Dikush duhet të përpiqet të mbrojë popullin e Sirisë, sepse sulmet me gaz helmues kanë vranë shumë fëmijë dhe mendoj se është veprimi i duhur” thotë një turist nga Karolina e Veriut.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Jim Mattis tha se këto sulme nuk do të përsëriten, nëse Presidenti Assad nuk do të përdorë më armë kimike.
Shumë njerëz shpresojnë se kjo është e vërtetë.
“Epo, ishte një surprizë e madhe e të premtes mbrëma. Shpresa ime tani është se gjërat nuk do të përshkallëzohen deri në atë pikë ku zhvillimet nuk diktohen më nga njerëzit e matur”.
Presidenti Trump akuzoi Rusinë dhe Iranin, dy nga aleatët kryesorë të Sirisë, se kanë mbështetur “diktatorë vrasës” dhe i kërkoi Moskës të ndryshonte drejtim. Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara foli kundër sulmeve dhe paralajmëroi se do të ketë pasoja./VOA