Hipoteka dhe ALUIZNI shkarkojnë 46 zyrtarë, të tjetrë të paralajmëruar
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një komunikim me mediat mesditën e sotme, publikoi të dhënat e ankesave nga portali “Shqipëriaqëduam.al”.
Ministrja komunikoi shkarkimin e 46 zyrtarëve në Hipoteka dhe te ALUIZNI, për shkak se nuk kanë kryer detyrën e tyre. Po ashtu, Gjonaj bëri me dije se janë paralajmëruar edhe 18 zyrtarë të tjerë, për të cilët deklaroi se do të shkarkohen, në rast se nuk përmirësojnë punën e tyre.
Sipas saj, platforma e bashkëqeverisjes nxjerr përgjegjësinë e qartë për zvarritjet e kërkesave të qytetarëve në zyrat e shtetit, falë ankesave të atyre që nuk bëhen palë me korrupsionin dhe nuk rrinë duarkryq.
Gjonaj tha se janë 91 masa, nga të cilat 46 largime nga detyra dhe 45 masa disiplinore për zyrtarët hipotekave e ALUIZNI-t, janë rezultati i ri i bashkëqeverisjes me qytetarët.
“Çdo ankesë që ka buruar nga papërgjegjshmëria e punonjësve të administratës ka ndihmuar në pastrimin e zyrave nga këta punonjës. Është kryer një analizë e detajuara që ka nxjerrë përgjegjësit. Kushdo që pengon ose bllokon për qëllime korruptive apo thjeshtë vonon për neglizhencë qytetarët në marrjen afat të shërbimit sipas ligjit është problem i yni i përbashkët. Përsëris thirrjen për çdo qytetar që ndesh ne pengesa te ALUIZNI dhe Hipotekat të na drejtohet nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes Duam ndihmën e çdokujt që has abuzimin me detyrën shtetërore në zyrat e shtetit. Qytetarët janë aleati ynë i madh në këtë mandat. Sa më shumë të na kërkojnë llogari për atë çka ndodh në zyrat e shtetit, aq më shumë realizojmë pastrimin e këtyre zyrave nga shkelësit e ligjit”, theksoi Gjonaj.
“Ankesat e qytetarë janë zgjidhur brenda 10 ditëve. Por jemi të vetëdijshëm se ka ende punonjës që duhet t’i identifikojmë dhe t’i largojmë se bashku. Çdo kërkesë që ka lindur nga mos përgjegjshmëria e punonjësve të administratës, ka ndihmuar në largimin e tyre. Është kryer një analizë në këto muaj, që ka identifikuar punonjësit që kanë penguar zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve”, u shpreh ministrja.