Veseli: Ne po përmbushim kriteret e nevojshme evropiane
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova është duke përmbushur kriteret e nevojshme evropiane dhe me përkushtim të plotë po punon për arritjen e qëllimit kryesor – anëtarësim të plotë në Bashkim Evropian.
Këto komente, kryeparlamentari Veseli i bëri në punimet e Sesionit të Pestë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po mbahet në Lublanë të Sllovenisë.
Në fjalën e tij para homologëve të vendeve të ndryshme të rajonit dhe parlamentarëve të tjerë, kryeparlamentari Veseli dha një pasqyrë të zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe foli për hapat konkretë që vendi ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Veseli tha se perspektiva e integrimit në Evropën Juglindore mbetet një objektiv i fortë strategjik dhe se Kosova është një nga vendet që tërheq më së shumti vëmendjen nga BE dhe NATO, për shkak të sfidave komplekse të brendshme dhe marrëdhënieve të fqinjësisë.
“Edhe pse jemi në fillimin e udhëtimit tonë drejt BE-së, po përparojmë duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ne po punojmë për të finalizuar dialogun dhe për të normalizuar marrëdhëniet tona me Serbinë, bazuar në një marrëveshje ligjore detyruese, e cila është urgjente dhe vendimtare për rrugën evropiane”, theksoi kryeparlamentari Veseli.