KE: Ankaraja po largohet nga BE, Ballkani Perëndimor më pranë
Komisioni Europian ka thënë lidhur me rrugën e Turqisë drejt bisedimeve për anëtarësim se ato janë ende larg, pasi tha se Ankaraja zyrtare ka ndërmarrë hapa seriozë që e largojnë nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë, Komisioni do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet ballkanike, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Mediat gjermane që kanë publikuar pjesë të raportit, shkruajnë se në dokument theksohet perspektiva për anëtarësim për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Negociata po zhvillohen aktualisht me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa komisioni kërkon që t’i zgjerojë dhe në kuadër të progresit të arritur, ka rekomanduar hapjen e tyre edhe me Maqedoninë e Shqipërinë.
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn dhe Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini do të vijnë në Tiranë për të dorëzuar raport progresin dhe më pas do të udhëtojnë edhe në Shkup.
Por Komisioni kërkon që qeveritë e këtyre vendeve të mos lënë vend për dyshime për orientimin dhe angazhimin e tyre strategjik dhe të shfaqin vendosmëri e progres të pakthyeshëm. Komisioni kishte përmendur më herët vitin 2025 si datë për anëtarësimin e vendeve ballanike, por këtë herë nuk jep referenca kohore.