Sport

Skandal/ Roma provon trukimet e UEFA-s

Skandal/Një ditë përpara hedhjes së shortit të Champions League, në Nion të Zvicrës, ekipi i Romës kishte publikuar në faqen zyrtare të internetit nisjen e shitjes së biletave të gjysmëfinales që do të zhvillonte me Liverpoolin.

Gabimi në faqen e internetit u korrigjua shumë shpejt, por jo mjaftueshëm sa për të mos u parë nga shikues të ndryshëm, që me rrëmbim të madh i bënë foto faqes, për përballjen që sipas publikimit do të zhvillohej më 2 maj.

Fakt është se, pas shortit të hedhur këtë të premte në Nion të Zvicrës, Roma do të përballet po me Liverpoolin, ndërsa Reali i Madridit do të ndeshet me gjigantët bavarezë të Bayern Munchen.

Nxitimi i drejtuesve të klubit roman nxiti teoritë e konspiracionit, që gjithsesi ngrejnë dyshime edhe se diçka mund të ketë të vërtetë në këtë mes.

Këto teori janë kthyer në një ritual të përvitshëm. Vitin e kaluar, e përditshmja spanjolle “AS” shkruante se UEFA kishte përdorur trukun e “goglës së nxehtë” për të shmangur një finale tërësisht spanjolle. Ndërsa në vitin 2016 u ngritën dyshime mbi legjendën braziliane, Roberto Carlos, kur ai u ngarkua me përzgjedhjen e ekipeve që ishin vendosur në vazon e katërt të shortit për fazën e grupeve të Championsit.