AktualitetPolitikëTë fundit

Gjyqtari Besim Trezhnjeva, shkarkohet nga detyra

KPK vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva.

“Trupa e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore për subjektin e rivlersimit, z. Besim Trezhnjeva. Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, kryesuese, Firdes Shuli relatore, Roland Ilia, anëtar vendosi të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, zotin Besim Trezhnjeva, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Durrës”, bëri të ditur kryesuesja e trupës gjykuese, Alma Faskaj.

Sipas KPK, Besim Trezhnjeva ka fshehur pasurinë dhe kjo mund të provohet nga raporti që ka paraqitur ILDKPI. Gjyqtari i Durrësit ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk i justifikon dot shumat monetare.

“Trezhnejva ka blerë dy apartamente, por nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave. Ka marre një kredi prej 50 mijë euro, për të blerë një apartament në Tiranë, por ka mashtruar duke blerë një tjetër apartament në Durrës”, thuhet në vlerësimin e KPK.

Gjithashtu ka deklarime të rreme në lidhje me të ardhurat e bashkëshortes në një shumë të konsiderueshme të ardhurash, si dhe janë administruar 11 denoncime publike për gjyqtarin Trezhnjeva.

Fatmir Braka, avokati i gjyqtarit të Apelit të Durrësit e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga KPK për shkarkimin e klientit të tij.

“Nuk e quaj normale, megjithatë ata kanë vendosur kështu. E keqja është se asnjë e drejtë jona e mbrojtjes nuk u mor parasysh, nuk ka gjykim, aty thuhet se ka gjykim të thelluar që s’është e vërtetë, sepse gjykimi i thelluar duhet që ne të na ishte bërë ekspertizë, nuk ka objektivitet”, deklaroi avokati.