Emmanuel Macron dhe Vladimir Putin shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet më të fundit në Siri
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologu i tij rus Vladimir Putin shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet më të fundit në Siri në një bisedë telefonike, bënë të ditur pallati Elise të premten.
Biseda u realizua vetëm një ditë pasi Macron bëri të ditur se posedon “prova” se forcat e regjimit të Bashar al-Asadit kanë përdorur armë kimike në Duma të Gutës Lindore.
Sipas “helmetave të bardha”, sulmi i dyshuar kimik ndodhi më 7 prill dhe la të vdekur 78 civilë.
Siç theksohet, Macron i ka thënë Putinit se “i vjen keq për veton e fundit ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që pengoi përgjigjen e vetme dhe të fuqishme për të ndihmuar krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për përcaktimin e përgjegjësisë për përdorimin e armëve kimike në Siri”.
Të martën, Rusia vendosi veto ndaj rezolutës e cila do të lejonte krijimin e një trupi të ri ekspertësh për të përcaktuar fajin për sulmet e dyshuara kimike në Siri.
Projekt-rezoluta e SHBA-së mori mbështetje të madhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me 12 vota për dhe vetëm dy kundër (Rusia dhe Bolivia), ndërkohë që Kina abstenoi.
Macron theksoi “shqetësimin e thellë për përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës në terren”. Pallati Elysees shtoi se Macron “dëshiron që konsultimet midis Francës dhe Rusisë të vazhdojnë dhe të intensifikohen për të sjellë paqen dhe stabilitetin në Siri”.