AktualitetEkonomiTë fundit

BERZH: 43% e bizneseve në Shqipëri, varin suksesin te lidhjet politike

Në Shqipëri lidhjet politike janë domosdoshmëri për të garantuar suksesin në biznes.

Jakov Milatoviç, ekonomist i asociuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në një prezantim të posaçëm në kuadër të raportit të Tranzicionit 2017-2018, zhvilluar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, ka gjetur se në vendet e Ballkanit lidhjet politike janë shpeshherë shkaku i suksesit në biznes.

Shqipëria u rendit e treta nga vendet e BERZH, pas Maqedonisë dhe Bosnjës e Hercegovinës ku lidhjet politike prevalojnë në suksesin e bizneseve.

43 për qind nga bizneset e anketuara në Shqipëri janë përgjigjur se lidhjet me politikën garantojnë ecurinë pozitive të aktivitetit, në një kohë që në vendet e tjera të rajonit dhe në ato në zhvillim, përqindja e bizneseve që mendojnë në këtë mënyrë është shumë më e ulët.

Ekonomisti i BERZH-it, tha se sektori privat e sheh korrupsionin si një pengesë të madhe. 23 për qind e bizneseve në rajon e konsiderojnë korrupsionin si një pengesë të madhe ose shumë të rëndë.

Sipas Milatoviç, lidhjet politike janë parë nga shumë njerëz si çelësi i suksesit në jetë.

Sondazhi ka treguar se më shumë se një e treta e njerëzve mendojnë se lidhjet politike në Ballkan kanë më shumë rëndësi se sa përpjekjet që vijnë nga puna, inteligjenca dhe aftësitë, të cilat duhet të ishin çelësi i suksesit në jetë. Për pasojë, në Ballkan mungon përzgjedhja për shkak të meritokracisë dhe në vend të saj prevalon klientelizmi për shkak të interesave.

Ai thotë se bizneset në rajon paguajnë kosto të larta të korrupsionit. Firmat në Ballkan humbasin 13.2 për qind të shitjeve të tyre vjetore për shkak të katër pengesave në mjedisin e biznesit, përkatësisht: krimit, mungesës së energjisë elektrike, infrastrukturës dhe korrupsionit.

Duke pasur parasysh se këto katër përmasa përfaqësojnë vetëm një të katërtën e 16 pengesave të përdorura në anketë humbja totale për shkak të mjedisit të papërshtatshëm të biznesit është padyshim shumë më e lartë. Në ekonomitë e zhvilluara problematikat në klimën e biznesit lidhen me madhësinë e tregut, efiçencën e tregut të punës, përdorimi efikas i talenteve, teknologjinë, etj.

Për pasojë, punëdhënësit po përballen me mangësi aftësish në punëtorët e rekrutuar. Mesatarisht 12 për qind e firmave në Ballkan raportuan se forca punëtore ka arsim të pamjaftueshëm dhe kjo po shihet si një mangësi për perspektivën e tyre. Mospërputhja e aftësive shihet kryesisht në sektorët e prodhimit dhe të turizmit.