AktualitetBota+PolitikëTë fundit

Arabia Saudite do të blejë 5 luftanije nga Spanja

Arabia Saudite ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për blerjen e pesë luftanijeve nga Spanja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja është nënshkruar gjatë vizitës së Princit të Kurorës Muhamed bin Selman në Spanjë, pasi paraprakisht vizitoi Francën. Bin Selman fillimisht është pritur nga Mbreti Felipe, ndërsa më pas ka realizuar takime me dyer të mbyllura me kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy dhe ministren e Mbrojtjes Maria Dolores Cospedal.

Sipas një deklarate nga Zyra e Kryeministrit të Spanjës, krahas memorandumit në fushën e mbrojtjes, dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje edhe në fusha të tjera, si kultura, shkenca dhe punësimi.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve EFE, në mbledhjen mes delegacioneve ka marrë pjesë edhe Esteban Garcia Vilasanchez nga kompania Navantia, e cila planifikon t’i shesë Arabisë Saudite pesë luftanije të tipit Avante 2200 në vlerë prej dy miliardë euro dhe të ndërtojë një bazë detare në këtë vend.

Sipas agjencisë, ndërtimi i luftanijeve do të realizohet në qytetin Cadiz, ndërkohë që marrëveshja përfshin edhe trajnimin e flotës saudite.

Ndryshe, kompanitë spanjolle shprehin interesim për “vizionin 2030” të shpalosur nga Bin Selman.

Ndërkaq, organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar mosshitjen e luftanijeve të cilat do të mund të përdoren për sulme ndaj Jemenit.

Para Spanjës, Bin Selman ka vizituar Egjiptin, SHBA-në, Britaninë dhe Francën.