Al Global sekuestron pronat e ARMO-s dhe Taçi Oil
Kompania Al Global, e cila bleu së fundmi rafinerinë e bitumit të ARMO-s në Fier, ka vënë në sekuestro disa prona të kompanisë problematike ARMO dhe të shoqërisë tashmë të falimentuar të naftës, Taci Oil International & Supply Company.
Sipas njoftimit të përmbaruesit EPSA, kjo e fundit ka proceduar me veprimin përmbarimor të sekuestrimit të sendeve të paluajtshme Truall + Ndërtesë si dhe sendet e luajtshme Asete Pajisje Makineri (Teci) Armo në Balish, Mallakastër, të cilat janë lënë si barrë siguruese për garantimin e kredive të marra nga ARMO në vitin 2012 te Raiffeisen Bank. Burime nga përmbaruesit pohuan për Monitor se kredia është blerë nga Al Global i cili është tashmë kreditori dhe ka kërkuar sekuestron e pasurive.
Përmbaruesi ka kërkuar dhe ndihmën e policisë së Mallakastrës për veprimin e kryer në datën 10 prill, pasi vlerësoi se në kryerjen e veprimit përmbarimor mund të hasej me probleme nga debitorët dhe personat e lidhur me ta.
Në janar të këtij viti AL.Global Oil, bleu në ankand nga Banka Raiffeisen për 5 milionë dollarë uzinën e prodhimit të bitumit të rafinerisë ARMO, e cila ndodhet në Fier. Blerësi është një kompani e krijuar në vitin 2016 dhe aksionerë të saj janë Arjan Dhimertika, Qazim Qazimi dhe Ridgers Mema. Ndërsa në bordin mbikëqyrës të kompanisë janë dy sipërmarrës të njohur në fushën e naftës, Shefqet Kastrati i grupit më të madh të naftës në vend, “Kastrati” dhe Frident Kuqi i “Europetrol Durrës Albania”, operatori i dytë më i madh i naftës në vend. Aktiviteti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 70 mijë metrash katrorë të vendosur në dispozicion të Uzinës e ndodhur në Jug Perëndim të Azotikut në kompleksin industrial të Fierit. Kapaciteti i projektuar përpunues i Impiantit të Distilimit është 500 000 ton/vit nafte bruto. http://www.monitor.al/al-global-oil-gati-te-vere-ne-pune-unizen-e-fierit-qe-e-bleu-nga-armo-perpunim-500-mije-tonevit-nafte-bruto/