Trump: Pritet “mjaft shpejt” përgjigja amerikane ndaj sulmit në Siri
Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara do t’i japin “mjaft shpejt” një përgjigje sulmit me armë kimike në Siri.
“Do të shohim ç’ka për të ndodhur… po e analizojmë shumë seriozisht situatën,” tha të enjten presidenti në Shtëpinë e Bardhë, para bisedimeve mbi situatën në Siri me këshilltarët e tij të lartë.
Më parë presidenti postoi një komente në Twitter ku shkruante se nuk kishte thënë asnjëherë se kur do të ndërmerrej sulmi ndaj Sirisë. Ai thoshte se sulmi “mund të kryhet shumë shpejt, ose jo aq shpejt.” Një ditë më parë, po në Twitter ai vuri postimin ku paralajmëronte “raketat do të nisen drejt Sirisë”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Presidenti Trump po analizon mundësinë e sulmeve me raketa si një ndër opsionet në kundërpërgjigje për sulmin me gaz kimik që akuzohet se kanë kryer forcat siriane. Të paktën 40 vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u sëmurën nga sulmi të shtunën në qytetin Duma, pranë Damaskut. Siria ka hedhur poshtë akuzat se forcat e saj kryen sulmin.
Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) pritet të vizitojnë periferinë e Doumës, ku ndodhi sulmi.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se Franca “ka prova” se armët kimike janë përdorur nga regjimi i udhëheqësit sirian Bashar al-Assad. Ai tha se Franca do të përgjigjet kur ta mendojë të arsyeshme.
Zyrtarë dhe analistë në Uashington thonë se brenda disa ditësh pritet të ketë një përgjigje të fuqishme nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, si reagim ndaj sulmit kimik.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo mbështet idenë për dërgimin e një mesazhi se përdorimi armëve kimike është një veprim i papranueshëm, por ajo shtoi se vendi i saj nuk do të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake.
Në një bisedë telefonike me Presidentin Trump, kryeministrja britanike Theresa May ofroi mbështetjen e saj, por sipas zyrtarëve britanikë, u shpreh se Britania kërkon më shumë dëshmi se kush fshihet pas sulmit të dyshuar kimik të shtunën në një zonë në periferi të Damaskut që mbahet nga kryengritësit. Sulmi ka lënë të paktën 40 të vdekur dhe deri në 500 të plagosur./voa