Theresa May për Sirinë; Kabineti do të vazhdojë të punojë me aleatët
Kabineti i qeverisë britanike të drejtuar nga kryeministrja Theresa May ra sot dakord që të ndërmarrë veprime për të frenuar përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike nga regjimi i Assad-it.
Qeveria britanike njoftoi gjithashtu se do të veprojë për të lehtësuar vuajtjet humanitare në Siri.
Një zëdhënës i Downing Street nuk e saktësoi se çfarë nënkuptohej me “ndërmarrjen e veprimeve” ose se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
May u takua sot me ministrat e saj kryesorë për plot dy orë dhe njoftimi i ri i rrit pritshmëritë se Britania do t’i bashkohet bombardimeve të koalicionit kundër presidentit Assad.
Zëdhënësi i Downing Street tha: ‘Pas një diskutimi në të cilin secili i pranishëm dha mendimin e tij, kabineti vendosi se është jetike që përdorimi i armëve kimike të mos mbetet i pasfiduar”.
‘Kabineti vendosi që kryeministrja të vazhdojë të punojë me aleatët, Shtetet e Bashkuara dhe Francën për të koordinuar një përgjigje ndërkombëtare”.
May i tha kabinetit të saj se sulmi i të shtunës me gaz në Douma ishte “një akt shokues dhe barbar që vrau mbi 75 njerëz, përfshi edhe fëmijë”.
May mësohet se ka urdhëruar nëndetëset e Marinës Mbretërore që të mbajnë raketa kruz dhe të vendosen në rrezen e Sirisë.
Britania ka gjithashtu disa skuadra avionësh luftarakë Tornado dhe Typhoon të stacionuar në Qipro për luftën kundër ISIS.
Ndërkohë, avionët Tornado të Aviacionit Mbretëror, u panë të furnizoheshin me karburant dhe të ngarkoheshin me raketa.
Por sondazhet e kryera deri tani tregojnë se publiku britanik nuk është edhe aq i bindur për sulmin ushtarak, me vetëm 22 përqind që janë pro dhe 43 përqind që janë kundër.