Politikë

Tensione në Kuvend, demokratët bllokojnë foltoren, Basha: Të përjashtohet Rama

Deputetët e PD dhe LSI kanë bllokuar foltoren e Kuvendit pas fjalimit të Lulzim Bashës, për të pezulluar punimet e seancës, deri në përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga punimet.

Basha foli për protestën në Kukës, arrestimin e 11 kuksianëve për aktet në “Rrugën e Kombit” si dhe për fyerjet e Ramës, sipas tij, gjatë seancës dy javë më parë. “Ky parlament nuk do të vazhdojë asnjë sekond pa e nxjerrë nga salla kryeministrin Rama. Ndale seancën menjëherë. Përjashtoje! Nuk ka për të pasur procedim normal pa larguar njeriun që ka ofenduar të gjithë shqiptarët“, u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha.

Pas fjalimit të Bashës, deputetët e opozitës rrethuan foltoren. Në këtë moment, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndërpreu punimet e seancës parlamentare, duke u shprehur se do rinisin pasi të Kuvend të jetë vendosur rregulli.

Opozita me pankarta në duar

Pas një mbledhjeje të shkurtër të Bashës me grupin parlamentar të PD, opozita ka shkuar në Parlament me pankarta në duar, ku shkruhet: ‘Liro kuksianët’, ‘Arresto kriminelët’.

Basha ka marrë fjalën dhe i ka kërkuar Gramoz Ruçit të mbyllë seancën dhe të përjashtojë Ramën, ndërsa demokratët janë ngritur në këmbë dhe kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

“Arrestimi i 11 kuksianëve është turp, mos i harroni ata. Indiferenca, heshtja, frika hezitimi ynë janë fuqia e plaçkitësve si Edi Rama”, tha Basha

Seanca ka nisur me raportin vjetor të KQZ, që po prezantohet nga kreu i KQZ, Klement Zguri. Zguri i ka bërë thirrje Parlamentit të themelojë epokën e administrimit të zgjedhjeve. Nga foltorja e Kuvendit, Zguri deklaroi se ka ardhur koha për një reformë themelore në procesin e zgjedhjeve.