Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM):“Radiografi mbi gjendjen dhe perspektiven e sistemit të Sigurisë Kombëtare shqiptare”
Gjeneralbrigade Piro AHMETAJ
Çfarë është Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM)? dhe pse ka rëndësi të dorës së parë për përditësimin dhe transformimin e Sistemit të Sigurisë Kombëtare ? Kush janë rrethanat, shkaqet, veçoritë e një vendi që zhvillon procesin e RSM? Kush janë eksperiencat e vendeve të ndryshme? Kush janë qëllimet, objektivat, fazat, elementët kryesore, gjetjet dhe produktet/ rekomandimet madhore të këtij dokumenti dhe pse ka peshë strategjike? Cilat janë lidhjet e tij me planifikimin e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, planifikimin e forcës dhe planifikimin operacional të FA?
Sot me shume se kurrë me parë nga përfundimi luftës së ftohte, mjedisi i sigurisë kombëtare, rajonale, dhe sidomos globale është kompleks, i larmishëm, dinamik dhe i paparashikueshëm. Pikërisht, RSM fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve të afta për një mjedis sigurie, dhe më konkretisht kapaciteteve të afta për përballje sipas skenarëve të mundshëm të kërcënimeve dhe rreziqeve. Prandaj RSM është një “radiografi” e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit në mjedisin e ri të sigurisë për të përcaktuar çfarë skenarësh dhe kapacitetesh duhet të ndërtojë një vend në dhjetëvjeçarin e ardhshëm që tu përgjigjet sfidave kombëtare, si dhe detyrimeve ne NATO dhe ato ndërkombëtare.
RSM është një proces që e ka origjinën pas Luftës së Ftohtë. Ai lindi si nevojë e ndryshimeve thelbësore në mjedisin e sigurisë në kuadër të mungesës së rreziqeve konvencionale. Ndryshimi i mjedisit të sigurisë, (faktorëve politikë, ekonomikë e socialë, ushtarak, informacionit etj), imponoi që shtetet të fillonin procesin e “çlirimit nga kapacitetet ushtarake të vjetërsuara” dhe të ndërtimit të kapaciteteve të tjera “moderne’, për të përballuar rreziqet dhe kërcënimet e pritshme.
Shtetet filluan të kryejnë Rishikime Strategjike të Mbrojtjes së tyre për të aktualizuar zhvillimin e forcave të armatosura me mjedisin e sigurisë së kohës dhe ato të pritshme. Në fillim, USA, UK, pastaj Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Kanadaja, Danimarka, Norvegjia, Hungaria, Republika Çeke, Kroacia, Sllovenia, vendet Baltike, etj. Pavarësisht se jo në të gjitha rastet dokumenti ka të njëjtin emër, si p.sh përmbajtja, gjetjet dhe objektivat e “Librit të Bardhë” të Francës, të “Politikës së Mbrojtjes së Bundeswerhit” të Gjermanisë, apo të “Danish Defence Agreement” të Danimarkës, etj, janë Rishikime Strategjike sipas veçorive të këtyre vendeve.
Po ashtu, në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Rishikimi i Strategjik i Mbrojtjes është një proces periodik që përfshin Konceptin Strategjik të Aleancës, që vijon me tej me procesin e Rishikimit të Kërkesave të Mbrojtjes (DRR), të Procesit të Planifikimit të Mbrojtjes së NATO-s (NDPP), të cilat rezultojnë dhe përkthehen në reforma dhe zhvillime të kapaciteteve përkatëse të Aleancës për 10 vitet e ardhme, si dhe të shteteve anëtare në veçanti. Në këtë proces është përfshirë dhe vendi ynë, qysh prej si vend aspirant i MAP-it 1999 dhe qysh prej vitit 2009 si vend aleat.
Përqasja, Gjetjet, Metodat dhe Përfshirja në RSM
Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes është një proces politik. Ai iniciohet nga autoritetet politike, dhe shpreh vullnetin politik të tyre për zhvillimin e reformave në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. RSM mund të përdorë dhe përfshijë në proces të gjithë mekanizmat, kapacitetet institucionale, institucionet kërkimore, shoqërinë civile, personalitete të shquar të botes se shkencës dhe biznesit, mediat, organizatat jo-qeveritare, dhe aktorë të tjerë të interesuar. Ne te gjitha rastet, është e rekomandueshme qe ky proces te mos zhvillohet nga “burokrat/Autoritete të emëruara” nga strukturat shtetërore. Në NATO, p.sh Koncepti i fundit Strategjik i NATO-s, në vitit 2010, u realizua nga “Wise Men Group”, i kryesuar Madeleine Albright; në Gjermani në vitin 2012, një grup personalitetesh nga të gjitha fushat (vetëm një ushtarak, Gjeneralin Latter, ish-COS në SHAPE), po ashtu në France në vitin 2017, etj
Megjithëse përqasjen politike të procesit, ka shumë rëndësi të kuptojmë që gjetjet dhe produktet e RSM duhet të mos influencohen nga politika. Sigurisht ky është një ushtrim i vështirë edhe për “demokracitë e shëndosha”. Prandaj RSM duhet të jetë rezultat i një analize të pavarur të ekspertëve të lartë të fushave të ndryshme që përfshin ky proces. Çdo ndërhyrje paraprake për të politizuar përfundimet e procesit kërcënojnë të diskreditojë përpjekjet e bëra.
Edhe në fund, pranimi i gjetjeve të tij është përsëri tërësisht qasje politike. Qëndrimet e politikës mbi përfundimet dhe gjetjet e RSM-së mund të jenë të ndryshme; ajo mund ti pranojë ose mund të mos i pranojë ato, apo mund të kërkojë zgjidhje të tjera të ndërmjetme bazuar në trekëndëshin universal: objektivat, mënyrat dhe mjetet (ends ways and means:[Making Modern Strategy, Bartlett, Holman and Lykke, Vol 1, Faqe 2311)). Nëse gjetjet shprehin objektiva (ends) që kërkojnë më shumë burime financiare (means) mund të gjenden mënyra të tjera (ways) për kompensimin e kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e objektivave strategjik, apo ato mund të shtrihen në një kohë më afatgjatë për tu realizuar. Pra, teoria na jep dhjetëra praktika të tjera të ndërmjetme për të “mirë-balancuar trekëndëshin” me anë të negociatave midis politikanëve dhe ekspertëve/personaliteteve të larta, për të përmbushur objektivat finale të RSM.
Produktet/gjetjet e RSM. Produktet/gjetjet kryesore të RSM ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Secili shtet ka specifikat, por sigurisht kanë shumë parime të përbashkëta. Të gjitha shtetet konfirmojnë që qëllimi i RSM është përcaktimi i drejtimit dhe gjenerimi i një numri reformash për përmirësimin e kapaciteteve, performancës, menaxhimit, dhe koordinimit të instrumentit të mbrojtjes kombëtare për avancimin e interesave kombëtare në periudhën afatgjatë, në koordinim me instrumentet e tjerë të fuqisë kombëtare.
Një nder objektivat/gjetjet, ndoshta më të rëndësishme është përcaktimi i rolit, misionit dhe detyrave të Strukturave përgjegjëse (FA, etj.) në mjedisin e ardhshëm të sigurisë. Natyrisht roli, misionet dhe detyrat mund të jenë të përafërta, por mënyra sesi ato do të përmbushen dhe resurset dhe kapacitetet që do të kërkohen për përmbushjen e tyre, kanë ndryshime të ndjeshme.
Një objektiv dhe gjetje tjetër THELBESORE është edhe saktësimi i skenarëve. Bazuar në rolet dhe misionet e ardhshme, pika fillestare e gjetjeve të RSM-së do të jenë skenarët ose situatat e planëzimit ku mund të zhvillohen dhe me tej angazhohen kapacitete në spektrin e operacioneve luftarake dhe jo-luftarake brenda dhe jashtë vendit. Përcaktimi i këtyre skenarëve do të ketë efekte kritike mbi organizimin, trajnimin, arsimimin, doktrinat, pajisjet, infrastrukturat dhe cilësitë e forcës së ardhshme.
Pas përcaktimit të tyre, gjetja tjetër e rëndësishme e RSM-së ka të bëjë me kapacitetet që i nevojiten për tu angazhuar në skenarët e planëzimit në planin afatgjatë. Paralel RSM-ja bën një vlerësim midis kapaciteteve të ardhshme dhe atyre ekzistuese, duke evidentuar tepricat dhe mangësitë e kapaciteteve. Më tej, RSM-ja mund të shprehet për kapacitete ekzistuese që duhet të eliminohen, për kapacitete të reja që mund të zhvillohen, si dhe organizimin e kapaciteteve të nevojshme në një strukturë organizative të FA, e cila mundet të quhet Strukturë Objektive – 2025 apo 2030.
Një gjetje tjetër e RSM-së është përcaktimi i mbështetjes financiare të parashikuar në periudhën afatgjatë. Mbështetja financiare parashikohet në përqindje të GDP, duke konsideruar edhe disa supozime në interes të planifikimit afatgjatë (si rritja vjetore e GDP, inflacioni etj). Në NATO buxheti për mbrojtjen i rënë dakord mbetet nga 3% gjatë Luftës së Ftohtë në 2% në periudhën pas saj.
Gjetje të tjera mund të rrokin fushat e reformave të menaxhimit të institucionit të mbrojtjes; si modernizimi i menaxhimit të institucionit, të strukturave të integruara të drejtimit, të menaxhimit të burimeve, të planëzimit të centralizuar dhe ekzekutimit të de-centralizuar, etj.
Procesi i RSM. Teorikisht, procesi i RSM-së ndahet në disa hapa kryesore. Secili hap i procesit ka afatin/periudhën e vet kohore, ka objektivat/produktet e veta, si dhe personat/institucionet përgjegjëse. Është e rëndësishme që secilit hap ti bashkëlidhet njësia matëse të progresit të tij. Prandaj ka rëndësi vendimtare që RSM të pasohet nga një Strategji Ushtarake dhe një PAZH për konkretizimin e saj në periudha afatgjatë.
Në këtë kontekst, ndër hapat kryesore të procesit të RSM-së mund të rreshtojmë: evoluimi i rolit dhe misionit të forcave të armatosura, ngritja e skenarëve/ situatave të planëzimit, përcaktimi i kapaciteteve përkatëse të tyre, eliminimi i kapaciteteve të vjetra, zhvillimi i kapaciteteve të reja, zhvillimi i strukturës së forcës aktive dhe rezervë, komandimi dhe drejtimi i FASH dhe operacioneve të ardhshme të tyre, zhvillimi i planeve të modernizimit, i planeve të infrastrukturës, i planeve buxhetore, i reformave të menaxhimit, dhe i planeve të tjerë themelore për 10 vitet e ardhshme.
Për të bërë sa më sipër, dokumenti i RSM fillon me një vlerësim realist të mjedisit të ardhshëm të sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale dhe tendencat e zhvillimit të tij për 10-15 vjet përpara, duke rekomanduar prioritetet strategjike dhe përqasjet më të mira për përballimin e kërcënimeve dhe rreziqeve të ardhshme, dhe duke shfrytëzuar edhe oportunitetet e mundshme.
Sa më sipër, mund të ketë ndryshime sipas specifikave të secilit vend, bazuar në objektivat kryesore që i vihen Rishikimit të Mbrojtjes. Përgjithësimi ‘për të gjitha e për gjithçka’ i RSM-së mund të devijojë vëmendjen nga produktet kyçe të tij për rastin e vendit tonë.
Kohëzgjatja e procesit të RSM do të varet nga shumë faktorë. Në përgjithësi ai varion nga 1 vit në 1,5 vjet. Në vartësi të kohës së dhënë, bëhet një program i detajuar. Në pamje të parë kjo duket një kohë e gjatë. Eksperienca ka treguar që nuk ka kohë boshe në këtë periudhë, nëse synojmë të bëjmë një Rishikim Strategjik aplikativ që ti shërbejë reformave të ardhshme.
Normalisht, matrica e RSM bëhet në mënyrë graduale dhe logjike. P.sh. fillimisht duhet të bëhet vlerësimi i mjedisit dhe pastaj i kapaciteteve. Më tej në fillim përcaktohen kapacitetet operacionale të nevojshme dhe pastaj bëhet struktura organizative e FA. E kështu me radhë. Rreshtimi në mënyrë logjike, racionale dhe graduale i problemeve/pyetjeve është pjesa e parë më e rëndësishme.
Metoda e RSM. Metoda e kryerjes së RSM ka po ashtu një rëndës, pasi gjetjet dhe produktet do të ndikohen shumë nga metoda e përdorur. Procesi nuk mund të bëhet nga zyra. Ai duhet të parashikojë një program të larmishëm aktivitetesh si takime, konsultime, anketime, vëzhgime, mësime të nxjerra, kërkime apo studime krahasuese, si dhe takime konsultative me institucionet e NATO-s dhe ekspertët e vendeve që e kanë kryer këtë proces kohet e fundit.
Praktika ka treguar që studime apo kërkime cilësore kërkojnë kohë. Për këtë qëllim, rekomandohet që programit të RSM ti bashkëngjitet edhe një program i studimeve apo kërkimeve përkatëse. Për këto mund të përdoren tezat kërkimore të KLSM, të Kursit të Lartë te Oficerit (KLO), tezat e masterave, të doktoraturave apo të studimeve të tjera të Akademisë së Mbrojtjes, Qendrave Kërkimore të Sigurisë dhe Mbrojtjes, dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore e të arsimimit dhe trajnimit të FASH, apo dhe jashtë tyre.
Çdo gjetje e grupeve përkatëse duhet të testohet në metoda të tipit “brainstorming” apo “round tables”, apo edhe nëpërmjet seminareve e konferencave shkencore specifike. Nuk mund të quhet e mbyllur një çështje e caktuar pa marrë “konsensusin-profesional” e të gjithë aktorëve të përfshirë në diskutimet e saj. Është po ashtu e domosdoshme që të gjitha gjetjet dhe produktet e RSM duhet të diskutohen me institucionet/njësitë që do ti nënshtrohen reformave të këtij procesi.
Përfshirja në RSM. Sipas eksperiencës së deritanishme, kërkon një përfshirje sa me të gjerë të ekspertëve dhe analistëve më të mirë kombëtarë në të gjitha fushat, duke përfshire si ‘MUST’ ekspertizën më cilësore ndërkombëtare. Puna e integruar në ekip është ndër faktorët kritik për gjetjet realiste dhe të koordinuara. Gjithë përfshirja, e një numri sa më të madh ekspertësh, jo në kuptimin e vijës së masës, e bën RSM jo vetëm shumë përfaqësues, por edhe më të zbatueshëm në praktikë.
Po ashtu, përfshirja duhet të vlerësohet në mënyrë proporcionale me madhësinë dhe me ambiciet e çdo shteti. Për ilustrim po përmendim vetëm procesin e Rishikimit të Mbrojtjes së Polonisë, drejtuar nga një grup drejtues ndërinstitucional, i mbështetur nga 7 grupe pune të fushave kryesore të ekspertizës, si dhe përfshirjen e 500 ekspertëve të fushave brenda dhe jashtë institucionit të sigurisë dhe mbrojtjes. Apo në rastin e Bullgarisë u aktivizuan më shumë se 400 ekspertë, apo të Sllovenisë ku u angazhuan mbi 200 ekspertë të fushave të ndryshme etj.
Kur flasim për përfshirjen e RSM, nuk duhet të harrojmë se ai përfshin domosdoshmërish, përveç mbrojtjes, edhe institucionet e tjera të sigurisë, si diplomacinë, financat, rendin, drejtësinë, etj. Për të marrë shembull për zhvillimin e RSM në kontekstin e përqasjes, gjetjeve, metodave dhe përfshirjes në RSM është procesi i SSDR i Mbretërisë së Bashkuar. [UK Strategic Security and Defense Review, 20102].
Shqipëria. Pse Shqipëria duhet të bëjë një RSM dhe a kemi kapacitete të vetë-prodhojmë një dokument që të mos mbetet në “inventar si letër në raftet burokracisë propagandistike”. Cilat mund të jenë specifikat, krahasuar me eksperiencën e vendeve të tjera dhe kush mundet të janë disa Rekomandime për RSM-2018 ? Këto dhe të tjera do i gjeni në numrin në vijim!
Gjeneralbrigade Piro AHMETAJ, është Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës të Shqipërisë