AktualitetPolitikëTë fundit

Qeveria e Zaevit i mbijetoi interpelancës

Qeveria e Zaevit i mbijetoi interpelancës

Numrat treguan se VMRO-DPMNE-ja nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme. Nga gjithsej 51 deputetët sa i fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare, vetëm 40 deputetë votuan për interpelancën. Votimit i parapriu debat i ashpër, në të cilin VMRO akuzoi ekzekutivin, si më të papërgjegjshmin, më jo punëtorin dhe më të kriminalizuarin në historinë e vendit. Sipas tyre pushteti punon vetëm për interesat partiake dhe se në muajt e kaluar nuk ka realizuar asnjë projekt dhe asnjë reformë të premtuar para zgjedhjeve.

“Dolët në zgjedhje dhe thatë se keni plan të madh. Sot të gjitha diskutimet e deputetëve dhe ministrave janë se sa e vështirë ishte situata”, është shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Opozita shqiptare konstaton lëshimet e qeverisë

Edhe opozita shqiptare ishte me plot vërejtje për punën e ekzekutivit.

“Ne nuk do bëhemi pjesë e këtyre lojrave politike për të përkrahur interpelancën. Më 27 prill z.Zaev, njerëzit që ke rotull, ishin njerëz që besonin në shtetin e së drejtës e jo në rikualifikim të lëndës së Almirit në “aksident trafiku”. Çdo të ndodhte nëse sulmet terroriste në Berlin apo qytetet të tjear,ku u shkelën njerëz me kamionë të kategorizoheshin nga akt terrorist në aksidente trafiku?”, ka pyetur deputeti dhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela.

“Përshtypja e qytetarëve është se arritjet e kësaj qeverie janë më pak nga pritja e tyre. Mbase edhe ndoshta mbajnë argumentimet për gjendjen e rëndë të trashëguar nga qeveria e kaluar, por kjo nuk e çliron qeverinë aktuale nga përgjegjësia që ka ” ka thënë deputeti i opozitës nga rradhët e Lëvizjes Besa, Rexhep Memedi.

BDI pro qeverisë reformatore

BDI, partia shqiptare në koalicionin qeveritar, mbrojti punen e ministrave të saj dhe të partnerit të koalicionit.

“Kjo qeveri i solli shpresë Maqedonisë. Kjo shumicë parlamentare reformuese, tre herë votoi dhe përkrahu Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, edhe përkundër kundështimeve tuaja deklarative në foltore, ju të nderuar deputetë të opozitës asnjëherë nuk e kundështuat ligjin për gjuhët”, është shprehur deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Gruevski:Kjo qeveri është hendikep për Maqedoninë

Gjithsesi, debati për interpelancë ktheu pas 5 muajsh në Kuvend partinë VMRO-DPMNE. Ish-kreu I VMRO-së dhe ish-kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, duke përmbyllur fjalimet maratonë të deputetëve të partisë së tij, akuzoi Zaevin se nuk ia solli Maqedonisë jetën që ia premtoi.

“Gjatë gjithë vitin bisedohet për reforma dhe asnjë reformë serioze nuk realizohet. Qeveria vetëshpallet reformatore, por njerëzit asnjë reformë nuk po ndjejnë. Kjo është qeveri e skandaleve dhe nënçimeve. Nënçmim i Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Të mos flasim për katastrofën në bujqësi, në sistemin arsimor dhe shëndetësor, për të cilët askush nuk mban përgjegjësi”, ka deklaruar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Zaev: Nuk heqim dorë nga koncepti një shoqëri për të gjithë

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij pak para votimit i bëri thirrje opozitës për konstruktivitet në interes të shtetit dhe në prag të proceseve eurointegruese.

“Me pjesëmarrje në reforma, të përballet në mejdanin politik , si parti politike e liruar nga trashëgimia kriminele. Që të krijojmë kushte për ndryshimin e vërtetë dhe tejkalimin e pasojave nga sistem i shkatërruar, na duhet përfshirja e të gjitha subjekteve të përgjegjëshme politike, dhe pak më shumë kohë”, vlerson Zoran Zaev kryeministër i Maqedonisë.

Zaev i bëri thirrje kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanov që të nënshkruajë edhe Ligjin për Gjuhët.

“Dua edhe një herë t’ju bëj thirrje të mbështesni konceptin, “një shoqëri për të gjithë”. Ky koncept është vlerë, qytetarët kanë të drejta, janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë, nuk është gjë prej të cilës duhet të trembemi, është e drejtë e tyre kushtetuese. Shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje edhe një herë Presidentit Ivanov, ta dekretojë ligjin, që jeta të vijë, të shohin të gjithë se më në fund, paragjykimet enitke në Maqedoni, i takojnë së kaluarës”, ka deklaruar kryeministri Zaev./DW