AktualitetPolitikëTë fundit

Pacolli: Këtë vit nuk ka viza për Kosovën; S’kemi luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, që udhëhiqet nga Natalia Apostolova, ka sqaruar se çfarë u bisedua sot në takimin që kanë pasur me Komisionin për Integrime Evropiane, nga ku deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, tha sot se nga ato që thanë këta zyrtarë të BE-së ishte e qartë se liberalizim të vizave s’ka sivjet.

Por nga kjo zyrë, thanë për Express-in se në takimin e sotëm nuk është biseduar në asnjë moment për afate vizash.

Ata thanë se në kuadër të takimeve të rregullta me Komisionet e Kuvendit, përfaqësuesit e Zyrës së BE-së/PPBE patën rastin të diskutojnë sot me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane rreth çështjeve që kanë të bëjnë me BE-në, përfshirë liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, thonë se, i kanë inkurajuar ata që të vazhdojnë të punojnë për kriterin e fundit që lidhet me viza.

“Përfaqësuesit e BE-së inkurajojnë Kosovën që të vazhdojë të punojë me ngulm në mënyrë që të përmbushë kriterin e fundit për liberalizimin e vizave. E theksojmë se në këtë takim nuk janë diskutuar afatet e liberalizimit të vizave”, thanë nga zyra e BE-së në Prishtinë.

Pacolli ka thënë se Kosova ka dështuar të bëjë hapa konkretë sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

“Sapo u ktheva nga një takim që e kishim me përfaqësues të Zyrës së BE-së për të diskutuar rreth përmbushjes së kriterit të luftimit të korrupsionit, për liberalizim të vizave. Nga ajo që pamë është tashëm e sigurt që nuk do të ketë liberalizim të vizave sivjet dhe është shumë e qartë që Kosova nuk ka bërë ndonjë hap konkret sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Pacolli.

Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se përfaqësuesit e Zyrës së BE-së shpresonin se do të merrnin propozim pozitiv nga Komisioni Evropian mirëpo sipas saj, Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për përmbushjen e kushtit të fundit për viza.

Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra i hodhi poshtë të gjitha deklarimet e Pacollit. Madje e bëri të ditur se janë dhënë sinjale pozitive për vizat