AktualitetPolitikëTë fundit

Vettingu; Rrjeta kap një tjetër gjyqtar

Në sitën e Komisionit të Pavarur të Kulaifikimit kaloi sot një tjetër ‘peshë e rëndë’ e sistemit të drejtësisë.

Pas Fatos Lulos dhe Vitore Tushës, Vettingu ka ‘trokitur’ me aktin e parë edhe në derën e Besim Trezhnjevës, gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, i cili është kandidat edhe për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, një institucion që do të ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi.

Seanca dëgjimore publike për Trezhnjevën nisi rreth orës 10:15 dhe përfundoi pas një ore. Vetë gjyqtari ishte i pranishëm në sallë, i shoqëruar nga avokati i tij.

Trupa gjykuese e KPK i tërhoqi vërejtje gjyqtarit Trezhnjeva që në nisje, duke konstatuar se ky subjekt nuk ka qenë bashkëpunues me komisionin.

Sipas KPK, Besim Trezhnjeva ka fshehur pasurinë dhe kjo mund të provohet nga raporti që ka paraqitur ILDKPI. Gjyqtari i Durrësit ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk i justifikon dot shumat monetare.

Avokati i tij kërkoi të caktohet një grup ekspertimi për te bërë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarit, por pasi u tërhoq për dhjetë minuta, KPK vendosi të rrëzojë kërkesën e mbrojtjes, duke theksuar se institucioni i ka vetë kushtet ta bëjë këtë vlerësim.

Ndërkohë nga hetimi administrativ kanë rezultuar deklarime të pasakta në lidhje me të ardhurat e bashkëshortes dhe parave cash.

“Trezhnejva ka blerë dy apartamente, por nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave. Ka marre një kredi prej 50 mijë euro, për të blerë një apartament në Tiranë, por ka mashtruar duke blerë një tjetër apartament në Durrës”, thuhet në vlerësimin e KPK.

Gjithashtu ka deklarime të rreme në lidhje me të ardhurat e bashkëshortes në një shumë të konsiderueshme të ardhurash, si dhe janë administruar 11 denoncime publike për gjyqtarin Trezhnjeva.

Vetë Trezhnjeva në një prononcim të shkurtër për mediat jashtë sallës së KPK tha se “bashkë me bashkëshorten kam 75 vite punë dhe këto janë të ardhurat e mia”.

“Nga viti 81’ deri në 94’ nuk është llogaritur asnjë e ardhur. Nuk është fshehje pasurie”, shtoi ai.

Trezhnjeva mbrohet nga avokati Fatmir Brraka, ndërsa trupa gjykuese e KPK përbëhet nga Alma Faskaj, Firdes Shuli dhe Roland Ilia.

Seanca e rradhës për gjyqtarin e Apelit në Durrës do të zhvillohet më datë 13 prill.