AktualitetPolitikëTë fundit

Nikos Kotzias në Beograd: Kosovën s’e kemi njohur, e as që do ta njohim

Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, ka nisur turneun e tij ballkanik dhe vizitën e parë e ka zhvilluar në Beograd.

Ai është takuar me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, dhe temë diskutimi ka qenë pashmangshëm Kosova dhe deklarimet në media se ‘Kosova do të hapë zyrë diplomatike në Athinë’.

Ai tha  se “Kosova hap zyrë tregtare në Athinë, jo zyrë diplomatike”,  raportojnë mediat në Beograd dhe se “Kosovën s’e kemi njohur, e as që do ta njohim”..

Ministri i jashtëm grek e bëri këtë deklaratë, i pyetur nga gazetarët serbë mbi zyrën e përfaqësimit tregtar të Kosovës, që pritet të hapet në Athinë dhe nëse kjo do të ishte një konsullatë.

“Ekziston që nga vitet e qeverisjes prej PASOK-ut dhe Demokracisë së re një marrëveshje për t’u hapur një zyrë e përfaqësimit tregtar të Kosovës në Athinë”, tha ministri i jashtëm grek dhe vazhdoi:

“Kjo zyrë do të hapet në një moment, por nuk do të jetë përfaqësi diplomatike e Kosovës. Konsullatë do të thotë përfaqësim diplomatik dhe atribute autoriteti diplomatik. Një gjë e tillë nuk është dakordësuar dhe as parashikohet të bëhet”, ka thënë Kotzias.

“Nuk kemi njohje diplomatike të Kosovës dhe as kemi për ta njohur diplomatikisht”, përfundoi ministri i jashtëm grek.

Shefi i diplomacisë greke, deklaroi në Beograd se janë bërë hapa përpara për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe gjithashtu për ta përmbyllur këtë nevojitet kompromi.